Luan Krasniqi: Jam në formë, Banks mund të bëjë sjellje jo fair
Luan Krasniqi po përgatitet intensivisht para meçit të rëndësishëm ndaj amerikanit Xhonaton Banks, i cili do të zhvillohet më 26 shkurt. 39-vjeçari do t’i kthehet ringut pas 27 muajsh në Ludvigsburg, ndërsa para kësaj ka intensifikuar përgatitjet, në mënyrë që mos t’i përsërisë rezultatet e dy meçeve të fundit. Shoku i tij, Firat Arslan është i bindur se boksieri junikas ka kualitete të mjaftueshme për ta dëshmuar forcën e tij. Turku po e ndjek me kujdes punën e Krasniqit, të cilin e përgëzon për vullnetin që po e tregon në stërvitje. “Ne po e shohim Luanin më të mirë të të gjitha kohëve”, deklaroi Arslan. Edhe trajneri i Krasniqit, Hans-Jurgen Vite, është i kënaqur me rrjedhën e përgatitjeve që po bën boksieri me nënshtetësi gjermane. “Krasniqi është një Luan që bind. Ai është në një formë shumë të mirë. Mirëpo, ai duhet t’i kontrollojë emocionet”, tha Vite.
Edhe vetë boksieri kosovar ndihet mirë, pas dëmtimeve që pati së fundmi, të cilat nuk e lanë të rikthehej më herët në ring. 39- vjeçari është i vetëdijshëm se ky është rasti i fundit i tij dhe atë do të mundohet ta shfrytëzojë, pasi nuk ka kthim prapa. “Jam në formë shumë të mirë. E di se kjo është mundësia ime e fundit. E falënderoj Zotin që ma ofroi këtë rast. Do ta shfrytëzoj këtë mundësi, gjithçka është nën kontroll”, deklaroi Krasniqi, i cili nuk e nënvlerëson aspak kundërshtarin 28-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Banks mund ta prishë meçin, mund të bëjë gjëra të pakëndshme”, vazhdoi Krasniqi. Ish kampioni i Europës është kthyer të flasë edhe për meçin eventual, për titull të kampionit të botës, i cili mund t’i mundësohet nëse fiton ndaj Banks. Në mes të vëllezërve Kliçko, ai e ka zgjedhur Vitalin si kundërshtar të preferuar për luftën e ardhshme për titull të kampionit, nëse i ofrohet kjo mundësi.