Luan Krasniqi rikthehet në fillim të 2008-tës

Boksieri kosovar me nënshtëtësi gjermane, Luan Krasniqi, duket se do të rikthehet në ring për të vënë në vend nderin e tij pas humbjes dëshpëruese nga Tony Thompson më 14 qershor të këtij viti. Sipas asaj që shkruan "Albanianboxing.com" rikthimi i ish-kampionit të Evropës dhe sfiduesit të titullit botëror në peshën e rëndë të boksit profesionist pritet të bëhet në fillim të vitit 2008. "Albanianboxing.com" shkruan gjithashtu se Krasniqi do të ndërrojë edhe trajnerin, pasi ka vendosur që të largojë nga detyra Thorsten Schmitz para duelit të tij të radhës.
Megjithëse akoma nuk ka pasur asnjë koment të vetë Krasniqit për rikthimin e tij në ring, përsëri duket shumë afër të vërtetës që Krasniqi të rikthehet pasi nuk do të dëshironte që të mbyllte karrierën me një humbje. Ajo që e përforcon edhe më shumë idenë e rikthimit të shpejtë të Krasniqit është edhe fakti se junikasi 36-vjecar është duke i ndihmuar mikut të tij, boksierit turk Firat Arslan në përgatitjet e këtij të fundit për luftën për titullin botëror të kategorisë "cruiser".