Luan Rama: Kryeministrin e vendos vota popullore e shqiptarëve
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, e cilësoi funksional dhe fitues koalicionin me Partinë Socialiste.
Duke qenë produkt i një marrëveshjeje parimore, në themel të së cilës qëndron jo thjesht dhe vetëm interesi dhe aspirata e qytetarëve dhe natyrisht, edhe e të majtës shqiptare për të qeverisur vendin, por domosdoshmëria e ndryshimit të pashmangshëm dhe e rrotacionit jetik për fatet e Shqipërisë europiane, e cila më 23 qershor do të ndahet përfundimisht nga qeverisja e papërgjegjshme dhe abuzive, koalicioni LSIPS është funksional, efektiv dhe garant i një fitoreje spektakolare në zgjedhjet e 23 qershorit. Frymës së fitores së të majtës që dominon tërë mjedisin politik, elektoral dhe qytetar në vend, përfshirja e LSI-së në koalicion i dha dimensione shumë më të gjera dhe një rezonance gjithëpërfshirëse, i dha garancinë e munguar dhe krijoi bindjen se 23 qershori përmes votës popullore dhe plebishitare do të realizojë ndryshimin e madh; largimin e PD-së nga qeverisja e vend, është shprehur ai për GSH.
I pyetur në lidhje me çështjen e kryeministrit, Luan Rama u shpreh se: Këtë e vendos vota popullore e shqiptarëve më 23 qershor.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, projekti i koalicionit LSI PS dhe i shumë partive të tjera është shumë më i gjerë, shumë më ambicioz e shumë më i rëndësishëm se sa emri i një kryeministri./ep