E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama: “LSI-ja, e gatshme të kontribuojë për gjetjen e konsensusit”



Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje domosdoshmërinë e një dialogu politik mes partive politike për zgjidhjen e krizës në vend, si dhe gatishmërinë për të marrë rolin e negociatorit në këtë krizë. Gjatë një konference, sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, tha se situata e krijuar për shkak të grevës së gjatë të urisë dhe e gjithë gama e problemeve që shfaq ajo nuk mund të zgjidhet ndryshe përveçse sipas standardeve europiane, që do të thotë, përmes dialogut politik dhe institucional mes palëve. “LSI-ja është e gatshme të kontribuojë për të gjetur pikat e bashkimit, për të gjetur atë që mund të çojë në konsensusin politik mes palëve në një zgjidhje politike në të mirë të interesave të vendit. Interesat e vendit duhet të përjashtojnë egon personale të çdo lideri. Interesat e vendit duhet të përjashtojnë protagonizmin absurd dhe t’i ftojnë palët që të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit në dialogun politik”, - është shprehur Rama. Ai ka kërkuar edhe rikthimin në Kuvend të deputetëve të opozitës. “Rikthimi në Kuvend do të krijonte momentin e parë për t’u ulur palët në dialog dhe për t’u dhënë mundësinë atyre të shpalosin alternativa që të çojnë te procesi i rëndësishëm i transparencës, te funksionimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet e 28 qershorit 2009”, - është shprehur sekretari i LSI-së, Rama.

Nasip Naço: “Për çështjen e kutive vendos Kushtetuesja”

Maxhoranca bën të qartë se nuk do të ketë asnjë formë tjetër për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias përveçse nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese. Nënkryetari i Parlamentit, Nasip Naço, është shprehur dje se pa u shqyrtuar kutitë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, nuk do të aktivizohet asnjë institucion tjetër ndërkombëtar. “PS-ja mund t’i drejtohet njëherë Gjykatës Kushtetuese. Mund të konsumohen njëherë të gjitha ato elemente që janë brenda vendit tonë, pastaj t’u drejtohet edhe të tjerëve. Me këtë strategji që po ndjek, Partia Socialiste kërkon që mos t’i quajë institucionet e vendit, gjë që është e patolerueshme. Ne kemi institucione të konsoliduara ndër vite dhe t’u drejtohet këtyre institucioneve”, - është shprehur nënkryetari i Kuvendit, deputeti i LSI-së, Nasip Naço. Nënkryetari i Parlamentit kritikon ashpër grevën e urisë, e cila, sipas tij, i ka shërbyer vetëm Edi Ramës për të konsoliduar pozitat drejtuese. “Ka gati 20 ditë sot grevë urie. Besoj se jemi të ndërgjegjshëm se një njeri nuk jeton dot vetëm me frymë. Ka një transparencë në mënyrën e organizimit të grevës aty brenda. Do ta vazhdojnë grevën me rrotacion, me qëllimin e vetëm që Shqipërisë të mos i jepet liberalizimi i vizave më datën 2 qershor”, - tha Naço.
Një ditë më parë dhe presidenti Topi bëri të qartë se nuk do të vendosë në lëvizje Komisionin e Venecias duke ia lënë këtë kompetencë vetëm Gjykatës Kushtetuese.

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›