E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama: Reforma zgjedhore, kusht i rëndësishëm për integrimin në BE

02-04-2012 / Gazeta 55

Statusi kandidat, LSI apel për realizimin e reformave

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje nga klasa politike të fokusohet në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Duke e cilësuar integrimin si një çështje që nuk i përket vetëm mazhorancës, por edhe opozitës, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama u shpreh se vendi duhet të avancojë me reformat. Ai vuri theksin tek reforma dhe domosdoshmëria e përfundimit të saj brenda afateve të lejuara. “Ritheksoj edhe një herë qëndrimin e njohur të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe që lidhet me domosdoshmërinë dhe rëndësinë e veçantë që ka për tërë ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit, çështja e realizimit  në kohë, me seriozitet dhe natyrisht në përputhje me të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it të Reformës Zgjedhore. Më lejoni të theksoj se qëndrimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke qenë koherente vazhdojnë të jenë të lidhura me plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për Reformën Zgjedhore çka na bën të jemi në unison, në të njëjtin qëndrim edhe me partnerët ndërkombëtare, të cilët edhe gjatë ditëve të fundit kanë theksuar domosdoshmërinë e realizimit të Reformës dhe që Komisioni i Posaçëm Kuvendor të përmbushë detyrimet në afatin e miratuar për të mos i shtyrë më tej më çështjet e rëndësishme të reformës zgjedhore” - u shpreh Luan Rama. Sipas tij, LSI është e angazhuar për realizimin e reformave dhe plotësimin e 12 rekomandimeve të Brukselit, në mënyrë që Shqipëria të meritojë statusin kandidat. Zyrtari i LSI-së insistoi edhe njëherë se reforma zgjedhore është element tregues për fatet e integrimit të vendit. “Ky qëndrim, ky angazhim, ky investim i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i tillë sepse ne jemi jo vetëm partnerë të rëndësishëm por edhe kontributorë të rëndësishëm për gjithçka që lidhet me plotësimin e 12 kushteve të Bashkimit Europian dhe që është rruga nëpër të cilët duhet të shkojë politika shqiptare për të mbërritur tek meritimi i ftesës për të qenë anëtar i Bashkimit Europian. Natyrisht, çështjet e integrimit evropian nuk janë çështje thjesht dhe vetëm të mazhorancës apo nuk janë çështje thjesht partiake, por janë çështje që lidhen natyrshëm dhe duhet të preokupojnë të gjithë shoqërinë. Nga kjo pikëpamje çdo kontribut pozitiv, çdo akt që dëshmon seriozitet ndaj plotësimit të 12 kushteve për Lëvizjen Socialiste për Integrim është jo vetëm i mirëpritur, por edhe i domosdoshëm. Unë dua të veçoj këtu qëndrimin e mbajtur lidhur me votimin e ligjit për gjykatat administrative sepse të tilla reflektime dhe qëndrime që i kontribuojnë plotësimit të kushteve që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, janë shenja e pjekurisë dhe e sjelljes së të gjithë faktorëve politikë në përputhje me interesat e vendit. Duke u rikthyer tek çështja e Reformës Zgjedhore, Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të insistojë, do të vazhdojë të kontribuojë, do të vazhdojë të kërkojë nga të gjithë faktorët politikë të vendit, që ta shohin çështjen e reformës zgjedhore si çështje që lidhet me fatet evropiane të vendit, si çështje që i kontribuon cilësisë së zgjedhjeve demokratike në këtë vend, me qëllim që zgjedhjet politike të vitit 2013, të jenë zgjedhje plotësisht në përputhje me standardet demokratike evropiane. Ky është investimi i LSI-së”- tha ai. Për LSI-në, transparenca e votës duhet të reflektojë mandate politike të përfaqësimit në Kuvend. “Ky qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për shkak se për ne është shumë e rëndësishme barazia e votës transparenca e votës dhe përkthimi në mandate politike të përfaqësimit në Kuvend i çdo vote të qytetarëve shqiptarë, kemi kërkuar që Komisioni parlamentar që merret me çështjet e reformës zgjedhore të fokusohet tek prioritetet e kësaj reforma dhe që të garantojë barazinë e votës dhe transparencën maksimale të procesit. Procesi zgjedhor është dita e ushtrimit të pushtetit prej qytetarëve dhe qytetarët nuk mund të jenë jashtë gjithçkaje ndodh apo gjithçkaje ndaj që lidhet me reformën zgjedhore që në fund të fundit është gjithçka që lidhet me realizimin e  procesit zgjedhor. Për shkak të këtij detyrimi ndaj qytetarëve dhe ndaj fateve evropiane të vendit, ne edhe një herë i ftojmë partitë politike në mënyrë të veçantë Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, të gjejnë vullnet dhe të shfaqin fleksibilitetin e nevojshëm për të vlerësuar gjithçka me seriozitet jo thjesht dhe vetëm të lidhura me interesat partiake, por ç’është më e rëndësishmja duke i parë dhe duke i konsideruar të gjithë  elementët e reformës zgjedhore të lidhura pazgjidhshmërisht me fatet evropiane të vendit” - tha më tej ai.

LSI dënon aktin e rrëmbimit të dy policëve kosovarë
“Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të denoncoj aktin provokativ të rrëmbimit të dy punonjësve të policisë së Republikës së Kosovës prej forcave serbe si një akt të shëmtuar që jo vetëm provokon rëndë klimën e dialogut dhe të bashkëpunimit  që është i domosdoshëm edhe për Kosovën, edhe për Serbinë në funksion të integrimit evropian të të dy shteteve. Por, nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron këtë akt një cenim të rëndë të integritetit territorial dhe institucional të Republikës së Kosovës dhe kërkon që jo vetëm të zgjidhet në mënyrë të menjëherë dhe në përputhje me frymën e partneritetit midis vendeve evropiane, por që qeveria e Republika e Serbisë, që autoritetet politike të Serbisë të kuptojnë dhe demonstrojnë realisht për të qenë partnerë evropianë dhe që janë shkëputur një herë e përgjithmonë nga mentaliteti dhe praktika e Serbisë së vjetër të dënuar një herë prej  të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Republika e Kosovës dhe institucionet e saj janë shtet i pavarur, demokratik evropian dhe askush nuk mund të cenojë askënd, asnjë qytetar të Kosovës, asnjë përfaqësues  me apo pa uniformë të shtetit të Kosovës sepse e gjitha kjo pastaj kthen në të kundërt gjithë atë investim që është bërë apo të gjithë atë demagogji të shfaqur nga Beogradi dhe që lidhet me atë që ata e konsiderojnë proces të integrimit evropian të Serbisë. Lëvizja Socialiste për Integrim është në këtë rast në anën e autoriteteve të Kosovës, në anën e qeverisë së Kosovës dhe duke mbështetur edhe deklaratën e ministrisë së Punëve të Jashtme së Republikës së Shqipërisë kërkon edhe prej autoriteteve të diplomacisë investimin maksimal të çështjes dhe rikthimin e dy punonjësve të policisë së shtetit Republikës së Kosovës në detyrën e tyre në shërbim ndaj qytetarëve dhe republikës së Kosovës”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›