E Diel, 1 Nëntor 2026

Çamëria ekziston prej shekujsh, është një realitet që duhet të zgjidhet

02-04-2012 / Gazeta 55

Sekretari politik i PDIU, Ardian Tana: Marrëveshja me mazhorancën po funksionon

Zgjidhja e çështjes çame dhe vëmendje maksimale ndaj diasporës shqiptare, këto janë objektivat e PDIU-së gjatë bashkëqeverisjes me mazhorancën në pushtet. Sekretari politik i PDIU, njëherazi zv/ministër i Arsimit, Ardian Tana u shpreh dje gjatë një deklarate për mediat, se marrëveshja PDIU-PD, nuk është çështje postesh dhe emrash, por një marrëveshje e qartë politiko-programore. Duke u ndalur te vëmendja ndaj diasporës, ai tha se është çështje ditësh krijimi i Komitetit Ndërkombëtar të Diasporës, i cili do të ketë si qëllim trajtimin e të gjitha problemeve të tyre, duke veçuar çështjen e ruajtjes së gjuhës mëmë. “Marrëveshja me mazhorancën është duke u zbatuar, ritmet kanë qenë të ndryshme. PDIU korri sukses të madh në zgjedhjet. Kjo nuk është një marrëveshje vetëm në emra dhe poste, por politike dhe programore. Për partinë tonë me interes dhe parimore është zgjidhja e çështjes çame, po kështu dhe vëmendja ndaj diasporës së vjetër dhe të re, ku është çështje ditësh krijimi i Komitetit Ndërkombëtar të Diasporës dhe themi se marrëveshja është duke ecur mirë. Shteti shqiptar e ka detyrim kujdesin ndaj emigrantëve, e thotë dhe Kushtetuta. Është e rëndësishme t’i kushtohet më shumë vëmendje. Kujdesi ndaj shqiptarëve është një ndër drejtimet kryesore të PDIU-së, por edhe e politikës shqiptare që të investohet për ta. MASH po përpiqet të ofrojë më shumë për mësimin e gjuhës shqipe, por me rëndësi është të krijohen politikat e duhura për plane afatgjatë. Po bashkëpunojmë edhe me MASH e Kosovës, pasi edhe ata kanë interes për këtë çështje”- tha ai. Kritikave të shumta të politikës shqiptare, por edhe të shtetit grek lidhur me implementimin e kësaj partie në qeverinë Berisha, Tana u përgjigjet: “Ne kërkojmë që të sjellim kontributet tona në integrimin dhe zgjidhjen e çështjeve ende të pazgjidhura. Është koha që politika shqiptare të flasë me një zë, do të lobojmë fort për unifikim të politikës në këtë drejtim. Greqia ka reaguar gjithmonë për çështjen çame për të ushtruar presion, në gjendjen aktuale përballë syrit të botës nuk ndodhet më në pozita komode, është si një elefant prej letre, ndaj reagon dhe në këtë mënyrë si në rastin e fundit”- tha ai. Lidhur me deklaratat e dy ditëve më parë të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili mohon ekzistencën e krahinës së Çamërisë dhe cilëson se askush nuk mund t’i imponojë shtetit grek toponimet e veta, Tana i cilëson vazhdimësi deklaratash provokative, që sipas tij janë tipike të llojit Dule. Më tej, ai thekson se dhe vetë grekët në studimet e tyre e kanë njohur Çamërinë dhe vetëm atij i ka mbetur ta njohë. “Dules i duhen herë pas here të tilla çështje për të dalë në skenë, nuk është hera e parë që bën deklarata provokative. Duhej të kishte reaguar për sjelljet e shtetit grek për pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve çamë. Është sjellje primitive dhe kriminale, nën pretekstin se ata paraqesin rrezik për rendin publik në Greqi. Greqia nuk mund të jetë pjesë e bashkësisë së madhe evropiane kur shkel hapur të drejtat e njeriut, ndaj duhet të ndryshojë qëndrim sepse ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund kësaj çëshje, duke shfrytëzuar çdo rrugë demokratike. Krahina Çamëri ka ekzistuar, studiues dhe historian greke e kanë njohur dhe vetëm zotit. Dule i ka mbetur ta njohë. Çamëria jeton, në të jetojnë njerëzit që mbeten pas gjenocidit, aty janë shtëpitë dhe objektet e kultit, ajo jeton në gjithë memorien e njerëzve që kanë lindur aty dhe pasardhësve të tyre. Çamëria nuk është një çështje, është realitet që duhet të zgjidhet”. Gjithashtu, Tana u ka dhënë përgjigje edhe dyshimeve se nisma e tyre për ndërtimin e memorialit të varrezave çame, është një provokim ndaj fqinjit grek, duke e cilësuar një detyrim për të respektuar historinë dhe dhimbjen për 2 600 jetë të humbura gjatë gjenocidit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›