Luan Sengla, trajneri i ri i Tiranës
TIRANE- Luan Sengla do të jetë trajneri i Tiranës për pjesën e mbetur të sezonit. Vendimi është marrë nga drejtuesit e klubit bardheblu, pas kërkesës së bërë nga vetë Devi Muka, i cili drejtonte prej një muaji e gjysmë skuadrën kampione në fuqi të vendit. Humbja me Vllazninë thuajse e ka bërë të detyrueshme një ndryshim në stol, ndërsa edhe vetë Muka ka qenë dakord që ai të merret vetëm me futbollin e luajtur. Ai e ka shprehur hapur se nuk e ka të lehtë edhe të stërvisë ekipin edhe të stërvitet për vete. Sengla është trajneri i katërt për bardheblutë këtë sezon, pas Lonçareviç, Alban Tafajt dhe Devi Mukës. Tirana humbi vendin e tretë në renditjen e Superligës pas disfatës 2-1 me Vllazninë ditën e diel, duke bërë që kjo skuadër tashmë të rrezikojë edhe pjesëmarrjen në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. Në takimet e fundit bardheblutë nuk kanë qenë ata të zakonshmit, duke pësuar tre humbje radhazi dhe si rrjedhim, tashmë janë parakaluar edhe nga Laçi në tabelën e renditjes. Tirana ka 35 pikë në tabelën e renditjes, 2 më pak se Laçi, ndërsa është arritur tashmë edhe nga Shkumbini. Të premten, skuadra kryeqytetase do të luajë në Fier përballë Apolonisë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)