E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulejman Starova rikthehet në pankinën e Tiranës

TIRANE- Sulejman Starova do të jetë trajneri i ri i Tiranës. Vendimi është marrë të hënën në mbrëmje nga drejtuesit e klubit bardheblu pas rezultateve të dobta të skuadrës në javët e fundit. Për Starovën bëhet fjalë për një rikthim në stolin e Tiranës, të cilën ai e shpalli kampione në sezonin 2004-2005 si edhe e drejtoi në fillim të sezonit 2007-2008. Sulejman Starova ishte edhe një nga përkrahësit kryesorë të presidentit Refik Halili në fushatën e tij për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ndërkohë trajneri i deritanishëm Devi Muka mësohet se ka kërkuar vetë që të mos jetë më në këtë rol, por të merret vetëm me futbollin e luajtur. Në fillim u përfol se trajner i ekipit do të ishte Luan Sengla, megjithatë në momentet e fundit gjithçka ka ndryshuar. Tirana u mund 2-1 nga Vllaznia ditën e dielë, duke humbur edhe vendin e tretë në renditjen e Superligës. Bardheblutë ndodhen në kuotën e 35 pikë, dy më pak se Laçi, që tashmë ndodhet i treti. Ndeshja e radhës për Tiranën do të jetë ajo e së premtes në Fier kundër Apolonisë. Sulejman Starova është trajneri i katërt që ulet në stolin bardheblu këtë sezon pas Ilija Lonçareviç, Alban Tafajt dhe Devi Mukës.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›