E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Starova, të kthen në sagë



Sa herë bie fjala për Luan Starovën, vjen saga ballkanike. Jo thjesht si emërtim artistik për këtë shkrimtar të njohur shqiptar, por për faktin se ai është cilësuar si përfaqësues i bashkëjetesës ballkanike, i hapjes. Për ta kuptuar më mirë çfarë ka ndodhur pas kësaj vepre, më 27 mars në mjediset e Fakultetit të Gjuhëve të Universitetit të Tiranës, Starova prezanton veprën e tij. Starova është një urë lidhëse ndërmjet kulturës dhe letërsisë shqiptare dhe asaj maqedonase. Starova është autor romanesh, poet dhe eseist. Ai gjithashtu është përkthyes i letërsisë frënge në maqedonisht. Luan Starova ndër të tjera ka botuar në shqip librat “Librat e babait” dhe “Koha e dhive”.

Veprat e tij janë përkthyer edhe në Gjermani, Francë, Itali, Turqi, Kroaci, Bullgari dhe Greqi. Proza e gjatë dhe e shkurtër e Luan Starovës, tematikisht lidhet përmes një shtyllë të përbashkët dhe përbën një projekt të vetëm që është emërtuar “Saga Ballkanike”. Boshti kryesor i këtij cikli romanor është kërkimi i rrugës së kthimit nga ekzili, i rrugës që nuk ekziston, i të pamundshmes në rrethana aq komplekse dhe shumështresore të gadishullit, ndryshe nga disa autorë të tjerë ballkanikë që i antagonizojnë ato. Pikërisht për këtë, Edgar Moreni me një rast do të shkruajë: “Luan Starova është përfaqësues i bashkëjetesës ballkanike, i hapjes”.

Luan Starova ka lindur në Pogradec të Shqipërisë më 1941 prej nga, pas dy vjetësh (’43), familja e tij u shpërngul dhe u vendos në fillim në Strugë e më vonë në Shkup, ku jeton edhe sot. U shkollua në gjuhën maqedonase. Si student i gjuhës dhe i letërsisë frënge, punoi një kohë si gazetar. Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge. Aktualisht ligjëron në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mediterane në Napoli.

Ka botuar shtatë romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me ese dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht. Shkruan paralelisht shqip dhe maqedonisht. Disa nga veprat e tij ende nuk janë botuar në shqip. Pas botimit të katër romaneve të parë në frëngjisht: tre nga “Fayard” në Paris (“Librat e babait”, “Koha e dhive” dhe “Muzeu i ateizmit”) dhe një prej “Les Editions de l’Aube” (“Bregu i egzilit”) dhe pas jehonës pozitive që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë.

Shkrimet e para letrare të Luan Starovës, të botuara maqedonisht, në një gazetë të Shkupit (“Mlad Borec”), datojnë që nga fillimi i viteve ’60.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›