“Luani” kundër “Tigrit” në arenën e Hamburgut

Më 18 mars, me fitoren me pikë kundër amerikanit 32-vjecar Brajan Minto ("Bisha"), Luan Krasniqi apo sic thirret shkurt "Lëve" (Luani), dha sinjalin e qartë se kurrsesi nuk do të donte të humbiste për herë të dytë shansin për të bërë realitet ëndrrën e tij më të madhe, pronësimin e "Brezit të artë" të kampionit të botës në versionin ndërkombëtar më të famshëm për peshat e rënda, WBO. Dhe sot, në "Natën e kampionëve të universit" në Hamburg të Gjermanisë (ora 22:00), boksieri më i famshëm shqiptar, Luan Krasniqi, kampion Interkontinental i Federatës WBO, do të synojë të mos humbasë kurrsesi me amerikanin Toni Tompson, për të mbërritur në duelin e madh për titull. Para një viti e gjysmë (2005), Krasniqi, një adhurues i legjendarit Mohamed Ali, i kishte të gjitha shanset për ta bërë të vetin atë, por nuk arriti ta fitonte titullin kur humbi me amerikanin Lemon Brjuster në ditën e 100-vjetorit të lindjes së Maks Shmelingut. Tashmë edhe më i pjekur, 36-vjecari Luan Krasniqi vlerësohet nga opinioni sportiv gjerman edhe ai botëror si boksieri i dytë më i mirë në Gjermani i të gjitha kohërave (Krasniqi mban edhe pasaportë gjermane) pas kampionit të madh gjerman Maks Shmeling, i vetmi që ka mundur të sjellë në Gjermani trofeun e madh. Kosovari nga Juniku, që banon prej shumë vitesh në qytezën e vogël të Rotvajlit në Gjermani, gjatë karrierës së tij si boksier profesionist, ka arritur 30 fitore (nga këto 14 me nokaut), 2 humbje dhe 1 barazim. Përgatitjet "mattadori" nga Rotvajli i zhvilloi në qytetin e tij. Cdo rival që garon në këtë nivel është i rrezikshëm, por gjatë deklarimeve të tij të fundit në prag të ndeshjes për mediat gjermane (zdf.de, boxing.de) Krasniqi është treguar optimist për një fitore të mundshme ndaj Tompsonit të lindur më 18 tetor 1971 në Silver Spring, i mbiquajtur "Tigri" nga shtypi amerikan. Trajneri i Krasniqit, Torsten Shmitc, ka studiuar me kujdes disa nga ndeshjet e amerikanit dhe ka arritur në përfundimin se Tompson nuk është shumë i shpejtë në boksim, por është i rrezikshëm dhe i egër në dyluftim, madje ka ndërtuar edhe strategjinë që duhet të përdorë Luani për ta fituar ndeshjen. Kam dëshirë që ta mbaroj ndeshjen sa më parë të jetë e mundur, - pohoi Krasniqi për boxing.de, - por nuk do të rrezikoj, nuk do të bëj aventurë për këtë. Kampion i Gjermanisë në peshat e rënda (2001-2002), Kampion i Europës në peshat e renda 2002, 2004-2005. Edhe Tompson, numri 12 në botë nga 1073 boksierë të listuar në boxrecord.com, nga ana e tij e vlerëson kundërshtarin shqiptar: "Luani është zhvilluar shumë dhe është një boksier i klasit botëror i pjekur". 35-vjecari Tompson, 196 cm i gjatë (hapësira e krahut 207 cm), ka një bilanc të admirueshëm: 29 fitore (nga këto 17 me nokaut) dhe një humbje, që nga viti 2000 kur është ngjitur për herë të parë si boksier profesionist. Ka shënuar fitore në 25 duelet e tij të fundit dhe ka fituar dy herë titullin e kampionit të kontinentit amerikan në versionin më prestigjioz WBC. "Tigri" aktualisht renditet i treti në listën e më të mirëve në versionin WBC, i gjashti në WBO, i 11-ti në IBF dhe i 12-ti në WBA. Takimi si cdo ndeshje në boksin profesionist është i parashikuar të zhvillohet me 12 raunde, gjithmonë nëse ai nuk do të mbyllet parakohe me nokaut.