E Diel, 1 Nëntor 2026

Luanin me dallgët, vdesin dy adoleshentë

VLORË/ Elvis Cene dhe Kristi Andoni kanë ndërruar jetë pasditen e së hënës teksa ndodheshin në det

Burime nga policia u shprehën se të rinjtë ishin futur pak në thellësi dhe "kanë mbytur njëri-tjetrin"

VLORË - Kanë shkuar në qytetin bregdetar të organizuar, por ndërkohë, teksa janë futur në det për të luajtur me dallgët, dy prej tyre kanë mbetur viktima të detit. Elvis Cene, 20 vjeç, dhe Kristi Andoni, 17 vjeç, nga Korça janë mbytur pasditen e së hënës teksa ishin bashkë me shokët e tyre duke u larë në det. Sipas ngjarjes së ndërtuar nga policia, ka rezultuar se njëri nga djemtë ka shkuar për të ndihmuar tjetrin e më pas të dy kanë mbetur viktima. Njëri prej tyre ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Bëhet e ditur se djemtë ishin sjellë në Vlorë nga fondacioni "Kenedi", i cili vepron në Korçë. Ka qenë një grup i organizuar me rreth 57 vetë të cilët kishin mbërritur në qytetin bregdetar ditën e diel dhe kishin zënë vend në një hotel në zonën e Plazhit të Ri. I konceptuar në trajtën e një kampingu dhe shkolle verore, të rinjtë kryenin aktivitete të ndryshme, mes të cilave edhe plazhi. Kështu, pasditen e së hënës, rreth orës 17:30 të rinjtë janë futur në det për të luajtur. Pasditja, e cila njihet për erën bregdetare dhe krijimin e dallgëve i ka tërhequr ata, duke i joshur për të hyrë më thellë. Në këtë lojë, njëri prej djemve, i cili nuk ka ditur not është "rrëzuar" nga një dallgë e madhe. Tjetri ka vajtur për ta shpëtuar, por nuk ka mundur. Më pas edhe të tjerët u janë afruar dy adoleshentëve duke i nxjerrë nga uji. Njëri nga djemtë, i cili është nxjerrë i gjallë mësohet se ka humbur jetën në kohën që po dërgohej për në spital.

***

Burime nga policia bëjnë të ditur se dy të rinjtë janë përkatësisht të moshës 20 dhe 17 vjeç. Pavarësisht ndihmës së parë të dhënë nga ana e personave të pranishëm, ata nuk kanë mundur të mbijetojnë. Fakti që njëri prej djemve nuk ka ditur mirë not, dyshohet të ketë bërë që të dështojë tentativa e të dytit për ta ndihmuar. Trupat e dy djemve ndodhen në morgun e spitalit të Vlorës dhe tashmë është verifikuar se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e mbytjes. Ndërkohë policia vijon hetimet për zbardhjen e mëtejshme të rrethanave të ngjarjes. Rreth një muaj më parë, babë e bijë u mbytën në një zonë pranë Ujit të Ftohtë. Siç u bë e ditur nga hetimet, zona ku ata ndërruan jetë ishte pikërisht një zonë me dallgë në të cilën krijoheshin shpesh edhe gropa, çka e bënte të rrezikshme futjen në det në zona pak më të thella. Shpesh njohuria e ulët për detin bën që njerëzit t'i konsiderojnë dallgët thjesht si një lojë e bukur pa marrë parasysh rrezikun që u kanoset në rastet kur futen në thellësi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›