E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, biznesi pro realizimit, politika kundër



Ervin KOÇI

Amnistia fiskale dhe bërja e saj realitet në ekonominë shqiptare, ka qënë dje objekti i një debati të gjerë mes specialistëve më të mirë të ekonomië në vend. Diskutimi nëse ekonomia shqiptare, e cila deri më tani nuk ka zbatuar kurrë një amnisti fiskale, do të ketë përfitim apo humbje nga zbatimi i një lehtësie të tillë, ka qenë në thelb të diskutimeve. Në një tryezë që Fondacioni për Liri Ekonomike organizoi për këtë temë, akademikë dhe ekspertë të ekonomisë kanë evindetuar avantazhet dhe disavantazhet e zbatimit të amnistisë fiskale, një nismë që është kërkuar shumë nga komuniteti i biznesit, por që ende ka mbetur në letër, pavarësisht shprehjes parimisht pro nga qeveria. “Një amnisti e mundshme mund të sjellë të ardhura për buxhetin e shtetit, në mënyrë indirekte apo kapitale të rëndësishme për ekonominë e vendit. Së dyti mund të zgjeronte bazën fiskale”,- u shpreh Artan Gjergji, ekspert i ekonomisë. Por zbatimi i amnistisë fiskale ka edhe disavantazhe, ku kryesori është legalizimi i pasurive që rrjedhin nga aktivitetet e paligjshme.

Ekspertët
Ekspertët e ekonomisë kanë shpjeguar se përfitues të amnistisë fiskale janë si shteti, ashtu edhe bizneset. Por sipas tyre, ky proces duhet të jetë tërësisht transparent dhe të shoqërohen me informacione të hollësishme për sipërmarrjen private. Kërkesa e biznesit për një amnisti fiskale nuk ka gjetur ndonjë mbështetje entuziaste të politikës. Si përfaqësuesit e qeverisë ashtu edhe ata të opozitës e shohin amnistinë si një mundësi por jo si domosdoshmëri. "Amnistia fiskale nuk është një domosdoshmëri. Natyrisht që me apo pa amnistinë, mendojmë që ekonomia shqiptare do të vazhdojë trendin e saj pozitiv të rritjes",- deklaroi zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj. Sipas deputetit të PS-së, Ervin Bushati, "ndonëse mund të jetë tunduese që të flasim sot për amnisti dhe amnistia në vetvete përmban disa dëme morale. Dëmi moral quhet si faktori kryesor kundra një amnistie fiskale". Edhe pse në parashtrimin e çështjes palët politike duket se janë kundër ata e shohin amnistinë edhe si një dëm moral. "E bërë në ambientin e duhur, në fushat e duhura, po. Është një mundësi më tepër për ekonominë dhe për biznesin shqiptar",- vijoi Rushaj. Ndërkohë sipas Bushatit, "ndoshta do të diskutohej për amnisti kur shoqëria shqiptare ta harronte amnistinë. Kjo do të bënte që nesër mos të krijoheshin kushtet që pas dy vjetësh të kishte prapë dëshirën për amnisti tjetër". Pavarësisht se palët politike flasin për klimë probiznes, mungesa e besimit reciprok mes pozitës dhe opozitës po e minon këtë ide e cila në vende të tjera është në zbatim.

Amnistia
Plani për të nisur diskutimin mbi hartimin e projektligjit mbi legalizimin e aseteve u vu në zbatim në fillim të këtij viti, kur pas shumë apelesh nga Dhoma e Tregtisë, ministri i Financave pranoi idenë e amnistisë. Ajo çka palët kanë shumë për të negociuar është fusha e veprimit, baza ligjore, struktura deri ku duhet të shtrihet legalizimi, si dhe norma e taksës. Ndërsa sa i takon konceptit, si biznesi, ashtu edhe qeveria e kanë të qartë se nuk bëhet fjalë për amnisti, pra falje detyrimesh të papaguara kur ato janë dokumentuar nga aktiviteti, por për legalizim asetesh, të fshehura për shkaqe që lidhen me shmangien e detyrimit tatimor. Sa i takon normës së taksës për legalizimin, palët janë duke shqyrtuar disa variante të atyre vendeve që e kanë aplikuar vitet e fundit. Duke iu referuar modelit moldav, i cili parashikohet të merret në konsideratë, norma e taksës varion prej fushës së legalizimit dhe forma, nga 3 deri në 15 për qind. Kurse Italia, vendi fqinj, që kryen amnisti fiskale çdo 5 vjet, aplikon një taksë prej 15 për qind. Të tjera vende të zhvilluara, si Gjermania, legalizimin e aseteve e kanë kryer duke i vendosur biznesit një detyrim prej 20 për qind, kurse Belgjika, një normë prej 22 për qind. Duhet sqaruar se këto nivele detyrimesh përputhen me mesataren e shkallës tatimore që kanë këto vende dhe nëse i referohemi Shqipërisë, që konsiderohet për taksa të ulëta, palët gjykojnë se kufiri optimal do të ishte 10 për qind.

Koka tjetër///////////////////////////////////////
BSH apel qeverisë: Kujdes me deficitin buxhetor

Qeveria ka planifikuar që të ulë borxhin publik në 54% të PBB-së në vitin 2013, nga 60% që është aktualisht

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe Banka e Shqipërisë i bën apel qeverisë të ketë kujdes me deficitin buxhetor dhe borxhin publik të vendit. Guvernatori Ardian Fullani deklaroi se ky kujdes duhet të reflektohet jo vetëm në projektbuxhetin e vitit 2011. Qeveria ka planifikuar që të ulë borxhin publik, që aktualisht është 60% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në 54% vetëm në vitin 2013. “Në kushtet kur borxhi mbetet në nivelin e 60% të PBB-së, gjykojmë si të domosdoshme ruajtjen e vigjilencës fiskale dhe në vitin e ardhshëm dhe në vitet që vazhdojnë. Në këtë kontekst, hartimi i buxhetit dhe i projeksioneve të treguesve fiskalë në vitin 2011 e në vazhdim, duhet të bazohet mbi supozime dhe parashikime të kujdesshme duke adresuar mirë edhe faktorët potencialë të rrezikut”,- theksoi Fullani. Sipas tij, ekonomia shqiptare ka pësuar rritje pozitive por megjithatë borxhi publik mbetet ende i lartë. Bazuar në të dhënat e BSH-së, aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në termat vjetor dhe stabiliteti makro-ekonomik është zhvilluar më tej.

Kursi valutor
Përsa i përket forcimeve të ndjeshme të euros në tregun e këmbimit mbi nivelin e 139 eurove, Fullani u shpreh e kursi është i stabilizuar dhe se parashikohet të jetë i tillë dhe pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave, periudhë që do të karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e kërkesës për euro, çka sipas ekspertëve do të ndikojë në forcimin e monedhës së eurozonës. Përsa i përket ecurisë së ekonomisë, Guvernatori Fullani, ka vlerësuar ritmet pozitive të rritjes, por sipas tij, problem mbetet konsumi që vuan nga pasiguria, ndërkohë që investimet duhen orientuar. Gjithashtu, Fullani, theksoi se BSH-ja ka vendosur të mos ndryshojë normën bazë të interesit duke e lënë atë në kuotën e 5 përqindëshit.

Ekonomia
Bazuar në të dhënat e BSH-së aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në termat vjetor dhe stabiliteti makro-ekonomik është zhvilluar më tej. Sipas Fullanit, buxheti i vitit 2011 duhet të bazohet mbi parashkime të kujdesshme duke analizuar edhe faktorët potencial të rrezikut. Ai tha ndër të tjera se konteksti botëror që ka rrethuar zhvillimet ekonomike karakterizohet nga pasiguri. “Burimet e huaja të financimit dhe kapitalit mund të vazhdojnë të jenë të kufizuara si rrjedhojë e hezitimit të ndërmarrjes së rrezikut. Informacioni statistikor mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare mbetet paraprak dhe jo i plotë. Sugjerohet se rritja pozitive e ekonomisë është shtrirë edhe këto muaj”,- tha Fullani. Sipas Guvernatorit, rritja është mbështetur nga kërkesa e sektorit privat ndërsa kontributi i sektorit publik ka ardhur në rënie. “Analiza e të dhënave indirekte mbi konsumin dhe investimet private sugjerojnë për tendenca pozitive por njëkohësisht për një rritje më të ngadaltë”,- tha Fullani.

Shkurt////////////////
Kush vjedh energji, dënim me burg dhe zhdëmtim dëmi

Ashpërsohen penalitetet për konsumatorët që vjedhin energjinë elektrike. Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar projektligjin “Për energjinë elektrike”, në të cilën parashikohet jo vetëm ndjekje penale për ata që vjedhin energjinë, por edhe pagim të dëmit që kanë shkaktuar. Konsumatorët që vjedhin energjinë elektrike, përveç dërgimit për ndjekje penale, do të paguajnë edhe dëmin ekonomik që i kanë shkaktuar kompanisë “CEZ shpërndarje”. Është ky ndryshimi që Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar në projektligjin “Për energjinë elektrike” nisur edhe nga propozimi që ka bërë Enti Rregullator i Energjisë. “Në bazë të legjislacionit kush vidhte energjinë elektrike dënohej me heqje lirie dhe u hoq dëmi ekonomik. Kompania dërgoi për ndjekje penale rreth 600 raste, dhe nga këto raste kompania konstatoi se nuk ka pasur dënime dhe nuk është zhdëmtuar për dëmin e shkaktuar”- deklaroi në komision kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta.

HEC-et, rekord prodhimi dhe eksporti të energjisë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e ka futur sistemin e prodhimit të energjisë në kapacitete maksimale. Këtë javë shtimi i reshjeve ka bërë që prodhimi të jetë rreth 26 milionë kilovatorë në ditë dhe gjysma e kësaj sasie eksportohet, ndërsa pjesa tjetër hidhet në tregun e brendshëm. Këto shifra maksimale kanë sjellë përmirësime të ndjeshme në financat e KESH-it, i cili nga ana tjetër po ndjek situatën e krijuar në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Sipas të dhënave më të fundit hidrocentrali i Fierzës është në një kuotë prej rreth 285 metra dhe ka prurje 950 metër kub në sekondë. Rreth 4 metër më poshtë se niveli maksimal është edhe hidrocentrali i Vaut të Dejës i fundit në kaskadë dhe ku intensiteti i reshjeve por edhe ruajtja e kuotave në hidrocentralet e tjera i bën të domosdoshme shkarkimet. Sipas të dhënave nga Vau i Dejës po shkarkohen rreth 400 metër kub ujë në sekondë të cilave po tu shtohen edhe shkarkimet nga turbinat e bëjnë të vështirë situatën për përmbytje në zonën e Nën-Shkodrës.

25 Nentor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›