Lubonja: Spaçi, vendi i dramave të mia më të forta

Fatos Lubonja në Spaç
U hap ekspozita e publicistit Objekte-Subjekte
Historia e objekteve, e personazheve që fshihen pas tyre dhe rrëfimi si trajtim traumash.
I gjithë Spaçi shtrihet në një faqe muri. Duket aq i vërtetë dhe i frikshëm njëkohësisht. Kush do ta merrte guximin ti ngjitej atij shpati!?
Fatos Lubonja qëndron i ulur përballë tij dhe i bëhet sikur ecën nëpër të. Ditën, natën, vajtje-ardhje. Nga 17 vite dënim, 11 i kam kaluar në Spaç, thotë publicisti. E kaq do të mjaftonte për të kuptuar pse ka vendosur të hapë një ekspozitë me objekte të gjetura përreth fantazmës së burgut politik të Spaçit. E ka titulluar Spaç, Objekte-Subjekte. Një ekspozitë simbolike, në formën e një muzeu, i cili për autorin është shumë personal, kuruar nga artisti Ardian Isufi e me fotografi të Barbara Haussmann. Ceremonia e hapjes u zhvillua mbrëmë në Qendrën e Informimit të Bashkimit Europian, ku ekspozita është ngritur si një kujtesë e së shkuarës dhe një nxitje për dokumentim. Merrnin pjesë në ceremoni, ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi, ministri i TKRS, Aldo Bumçi, politikanë, artistë, etj. Në ekspozitë janë paraqitur objekte të zhvarrosura, në dukje tërësisht pa domethënie, por që në kujtesën e Lubonjës lidhen me emra, histori, situata, disa prej të cilave ai i ka sjellë edhe për publikun. Në një intervistë Lubonja tregon rrugën për në Spaç…
Ju çuan objektet në Spaç, apo Spaçi tek objektet?
Imazhi në qendër të ekspozitës është miniera. Atë rrugë e kam bërë përditë vajtje-ardhje. Për disa vite rresht punoja në minierë. Ai shteg është shumë esencial për mua, madje historia e fundit që kam tek ai shteg është, kur më kanë çuar me dhunë në minierë sepse refuzova të punoja… Më rrahën keqas, më masakruan. Kur shkova me Barbarën, ngjiteshim si dhitë nëpër ato shpate. Në Spaç nuk shkuam për të mbledhur këto objekte. Barbara ishte kurioze të njihte atë vend, ndërsa unë kisha nostalgjinë e dhimbjes. Ideja e parë ishte për të realizuar disa fotografi dhe për të filmuar. Kemi bërë një ditë rrugëtim dhe rrëfim.
Përse do të shërbente më vonë ky rrëfim?
Ishte thjesht për të dokumentuar historinë time. Ishte një nevojë e brendshme, shpirtërore për ta dokumentuar atë histori. Sigurisht që Barbara kishte nevojën e njohjes. Ndoshta më vonë mund të ngrihej diçka mbi të, por ende nuk e kishim një mendim të përcaktuar. Kujtimet e mia dhe kurioziteti i saj na çuan në Spaç. Atje ideja lindi spontanisht, duke gjetur këto objekte të ekspozuara këtu. Tek ecja, gjeja këto objekte dhe i fusja në një çantë që mbaja në shpinë. Kjo më ngacmoi për më tej.
Poshtë çdo objekti ka një histori, një emër konkret, Zefi, Nushi, Xhelal Beu…
Çdo objekt më kujton një mik, një situatë, nganjëherë dhe me ndonjë njeri indirekt, por që është brenda dramave dhe personazheve të atij skenari burgu.
Dënimi juaj u nda mes Spaçit, Burrelit e Ballshit, pse zgjodhët të parin?
Në 17 vitet e mia të dënimit, 11 i kam kaluar në Spaç. Drama e Spaçit është krejt tjetër nga ajo e Burrelit. Në Spaç jam ridënuar, dramat e mia atje janë më të forta. Spaçi për mua ka gjithashtu një vlerë të veçantë që duhet theksuar: Spaçi është vend i veçantë në gjithë kampin e Lindjes, ku të burgosurit punonin në minierë. Edhe në kohën e Stalinit ka pasur të burgosur që punonin në kanale, në ndërtim, por në minierë, me sa di unë, si vend vuajtjeje, i gulagëve është vetëm Spaçi dhe Qafë-Bari më vonë. Në këtë aspekt merr rëndësi ruajtja e Spaçit, kthimi i tij në një muze, ku të shkojnë të rinjtë e ta vizitojnë, si në Aushvic. Ky instalacion që është simulimi i një muzeu simbolik që e kam ndërtuar unë, ngacmon edhe idenë e ruajtjes. Por unë kam shkruar edhe në Burrel, edhe në Ballsh. Edhe në Burrel kam dokumente, kur ishte ende burg politik dhe nuk ishte kthyer në burg për krime ordinerësh, siç e kanë kthyer tani.
Keni zgjedhur objekte që lidhen me minierën, ndërsa nuk gjejmë objekte si gaveta, lugë apo të tjera objekte që lidhen me qelitë, është e qëllimtë?
Ky nuk është një muze i mirëfilltë. Ky është muzeu im simbolik, metaforë që simulon muzeun. Instalacioni simulon muzeun dhe përpiqet të përfshijë edhe publikun brenda, çka është një nga vetitë e artit vizual. Me këtë instilacion unë tentoj të evokoj histori përmes objekteve, ndjesi, situata, emocione, drama njerëzore. Edhe tekstet janë pjesë e objekteve. Legjenda e objekteve tek unë është një histori. Këto janë sendet që unë kam zgjedhur duke u dhënë një kuptim metaforik.
Rizbulimi i këtyre objekteve duket si një rit zhvarrimi, krijonte ndonjë ndjesi të veçantë tek ju?
Procesi ka qenë shumë i natyrshëm. Duke ecur gjeta lopatën. Sapo e gjeta, ajo më ngacmoi menjëherë imagjinatën dhe mu kujtua Xhelal Beu. Të gjitha objektet që gjeja, më kujtonin nga një histori. Të gjitha janë objekte shumë të rëndësishme për mua.
Sa ka ndryshuar Spaçi, veç faktit që tani është i braktisur?
Shumë objekte janë shkatërruar. Nëse do ta rikonstruktonim të gjithë terrenin për muze, duhet të ringrinim rrethimin e telave me gjemba, sepse gjithë ai mal ka qenë i rrethuar, do të vendosnim karakollët me automatik dhe me projektorë të mëdhenj, do të vendosnim ndërtime, baraka ku bëhej gatimi, ku laheshin rrobat e të burgosurve. Ai ka qenë një vend shumë i populluar. Ishin rreth 1500 të burgosur, pastaj komandatura, policia, punëtorët e lirë… E gjitha çka mbetur, është në fakt një mbeturinë e atij burgu.
Pas ekspozimit të librit të shkruar në Burrel, riktheheni me një tjetër ekspozitë, pse kjo përfshirje tek artet vizuale?
Është një mënyrë shprehjeje. Ky është një instalacion që gjithçka është në funksion të idesë. Kjo është një mënyrë për të shprehur vetveten. Ndoshta në këtë mënyrë njeriu kërkon të trajtojë traumat e veta. Unë me artin vizual kam qenë i lidhur dhe më parë, por ska qenë ndonjëherë dashuri.
Çsynoni me këtë ekspozitë?
Unë me këtë ekspozitë provokoj. Në atë mal ka pasur me qindra drama. Aty brenda, në ato galeri janë zhvilluar drama pa fund, vuajtje, vdekje njerëzish, që janë varrosur për së gjalli se i ka zënë mali. Kam tërhequr disa nga ato histori dhe i kam vendosur këtu për të provokuar me imagjinatën dhe duke nxitur dokumentimin e këtyre historive. Ndoshta dikush do të mund të realizojë një dokumentim dëshmish.
Histori pas objektesh
Xhelal Beut
Xhelal Beu kaloi 40 vjet të jetës së tij në burg. Kohët e fundit në Spaç punonte me një lopatë në dorë si pastrues i rrugës ku kalonin kamionët, që ngarkonin në trimozha mineralin që nxirrnin të burgosurit nga miniera. Një ditë nëpër atë rrugë qëlloi të kalojë më këmbë kryetari i degës së Rrëshenit, që vinte herë pas here të vizitonte burgun. Duket kishte qëlluar me humor të mirë, sepse ndaloi me gjithë shpurën e tij teksa pa Xhelal Beun me lopatë në dorë:
Nga je ti? – i tha.
Unë jam nga bishti i lopatës, – iu përgjigj Xhelal Beu.Zefit
Sapo ngrita nga toka këtë lak/kurorë teli me gjemba, që ka lidhur në shtylla betoni telat e rrethimit-një kurorë me gjemba, ky, në kokën e malit – mendova Zefin.
Nuk e di në i respekton Zoti hierarkitë e vendosura në tokë për shenjtorët e tij, por, në do të më pyesnin cilin syresh kam njohur, që ta meritonte shenjtërinë, ky është at Zef Simoni. Nëse do të më kërkonin mrekulli, do të tregoja dy ngjarje të thjeshta.
E para: Një ditë shoku me të cilin hante bukë, Koleci, e qëlloi me shuplakë në mes të mensës. Akte të tilla në atë kolek