E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lubonja, pas radikalizmit merr çmimin “SEEMO”

17/02/2005  Organizata e Medias së Europës Juglindore (SEEMO) me bazë në Vjenë, një rrjet i botuesve, editorëve dhe gazetarëve të rajonit, me vendim të bordit të saj, i ka akorduar publicistit Fatos Lubonjës çmimin SEEEMO 2004 për bashkëpunim dhe mirëkuptim në Evropën Juglindore. Ky çmim jepet çdo vit, duke iu dedikuar Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut. Lubonja drejton revistën kulturore “Përpjekja” duke u vlerësuar për kontributin që jep në shtypin shqiptar dhe atë të huaj.

Duhet të jesh sfidues në media për të marrë një çmim?

Jo duhet të jesh i vërtetë. Ata që të vlerësojnë të çmojnë për këtë.

Çfarë ka kjo sfidë brenda jush?

Nuk është sfidë, por sfida është tek e fundit, lufta e të vërtetës më gënjeshtrën. E vërteta është gjithmonë e rrezikuar, e kërcënuar nga shumë forca. Mendoj se tamam tamam puna e gazetarit është që ta përçojë këtë, ti besojë kësaj të vërtete dhe jo ti besojë zotave të tjerë. Gjithmonë duke pasur besim, siç e kam thënë në një shkrim të fundit, që e vërteta hollohet por nuk këputet.

Të ndodh të jesh “ekstremist” në mendim, me të cilën kërkon të tërheqësh vëmendjen publike?

Fjala ekstremist nuk shkon, por duhet të jem radikal. Duhet të besosh në atë që thua dhe sa herë beson gjithmonë je radikal në mendimin që ke, sepse besimi nënkupton ngulmimin për të shprehur mendimin dhe bindjen tënde. Në një farë mënyre në këtë luftë mund të jesh konseguent dhe nganjëherë mund të konsiderohet se je radikal.

Tani të gjitha palët po bëhen koshientë duke i veshur sloganin standart se çfarëdo që të shkruash, dhe të shprehësh nuk të habit më. Pse po arrihet në këtë përfundim?

Kjo është tjetër gjë. Kjo ka të bëjë me mungesën e punës së institucioneve të tjera, se tek e fundit media, gazetaria ka për detyrë të informojë, të thotë disa të vërteta. Nëse këto nuk bëhen pjesë e shqetësimit publik dhe të institucioneve shtetërore, kur bëhet fjalë për një skandal për punën e prokurorisë, drejtësisë që tek e fundit e materializojnë dhe e qartësojnë një opinion publik atëhere duket sikur humbet kuptimin edhe fjala.

A ndjen frustrimin pikërisht në momentin që pret reagimin?

Padyshim, frustrimi shpeshherë kthehet në indiferencë, dhe indiferenca në nënshtrim dhe rezultati është ky që po jetojmë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›