E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëplagoset speciali i RENEA-s

17/02/2005  Gjatë një operacioni, arma bën shkrepje të pavullnetshme

DURRËS - Një efektiv i forcave speciale të RENEA-s, është vetëplagosur dje në Durrës gjatë një operacioni të organizuar nga uniformat blu.

Plagosja

Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit ka konfirmuar pasojën e një prej trupave speciale të policisë së shtetit, por nuk ka bërë të ditur asnjë detaj për shkaqet se si ka ndodhur ngjarja.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Policisë së këtij Qarku, kryekomisar Muharrem Bardhoci, mësohet se “RENEA ka pasur një mision të detajuar nga Ministria e Rendit Publik dhe çdo sqarim zyrtarë i përket pikërisht institucionit epror për t’u bërë publik”.

Megjithëse burimet zyrtare nuk saktësojnë nëse 40-vjeçari Adem Tahiri është qëlluar me armë nga të tjerët apo është vetëplagosur, dëshmitarë, në vendin e ngjarjes, bënë të ditur se speciali i RENEA-s është plagosur nga shkrepja e pavullnetshme e armës së tij. Të njëjta pohime theksojnë se Tahiri është vetëplagosur gjatë aksionit të policisë për kontroll, në një nga kalçetot e Durrësit dhe pikërisht në zonën e Plepave, operacion për kontroll të aktivitetit të paligjshëm.

Operacioni

Gjatë këtij aksioni, synimi i efektivit të RENEA-s ka qenë kapja në flagrancë e disa personave, të cilët mendohet se janë persona të shpallur në kërkim. Në kuadër të këtij operacioni, trupat speciale të Ministrisë së Rendit, bllokuan të gjithë territorin e fushës së minifutbollit në lagjen e Plazhit, ndërkohë, që është deklaruar nga persona, pranë vendit të ngjarjes se në kërkim të personave është bërë e mundur edhe bllokimi i një mjeti të vjedhur me targa të huaja si dhe një sasie droge.

Por, operacioni, i cili ka qenë shumë i fshehtë, ka përfunduar me plagosjen e efektivit të RENEA-s, Adem Tahiri, i cili është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›