E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mashtrohen fermerët, nuk përfitojnë subvencionimin e naftës

17/02/2005  Kryeministri premtoi tre muaj më parë

DURRËS - Ministria e Financës ka bllokuar financimin e subvencionit të naftës për serat me ngrohje. Që prej fillimit të këtij viti, asnjë nga pronarët e serave, të cilët kanë përfituar të drejtën e marrjes së naftës pa akcizë, nuk kanë mundur të blejnë naftë me çmimin e deklaruar nga vendimi i qeverisë. Në të njëjtën gjendje paraqiten edhe shoqatat e fermerëve, të cilat kanë përfituar nga vendimi i qeverisë. Një situatë e tillë duket se ka vënë në dyshim rendimentin e pritshëm, pasi pronarët e serave si dhe fermerët detyrohen të blejnë naftën me çmimet e tregtimit të naftës me pakicë, duke u sjellë atyre humbje të mëdha. Sipas vendimit të qeverisë, dhe deklarimeve të bëra nga Kryeministri Fatos Nano në nëntorin e vitit të kaluar, në Zharë të Fierit, projekti “2 KR” për nxitjen e prodhimit bujqësor ka favorizuar 63 mijë ferma në projektin pilot, të cilët do të blejnë naftën jo më shumë se 53 lekë për litër, ndërkohë që shoqata e fermerëve dhe mekanizatorëve, si dhe pronarët e serave i janë drejtuar tregut të pakicës për të kryer punimet, duke e blerë naftën me 83-86 lekë për litër. Pronarët e serave, të cilët duket se janë më të ndëshkuarit në këtë periudhë të pikut të punës, kanë pohuar se e gjithë pengesa është shkaktuar nga Ministria e Financës, pasi ajo nuk i ka lëvruar fondet përkatëse ARMO-s, kompanisë e cila ka lidhur kontratë për furnizimin e serave me naftë pa akcizë, pas tenderit të fituar. Fermerët si dhe pronarët e serave i janë drejtuar me një shkresë ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, Agron Duka, duke i bërë të ditur se ata nuk kanë marrë naftë pa akcizë për muajin janar dhe shkurt. Sipas pronarëve të serave me ngrohje, ministri Duka ka marrë përsipër të zgjidhë në një kohë të shkurtër problemin e ngritur, por që nuk është thënë se kur ata do të marrin naftën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›