E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe ne krye te skuadres kineze Tianzhin Teda

Dy karriera tërësisht të ndryshme, por për ironi të fatit rrugët e Josip Kuzhesë dhe Ari Han janë kryqëzuar sërish. Bëhet fjalë për dy ish-trajnerët e Kombëtares shqiptare, të cilët kanë drejtuar kuqezinjtë në dy edicionet e fundit kualifikuese.
Kuzhe, që në tetor u largua nga Shqipëria, ka pranuar ofertën nga Kina, për të marrë drejtimin e skuadrës Tianzhin Teda. 58-vjeçari kroat do të përfitojë 500 mijë dollarë amerikan në vit në skuadrën e Superligës kineze.
Sipas akordit me drejtuesit e klubit dhe objektivave të bërë publike, skuadra do të luftojë në tre fronte: të sigurojë një vend në Champions League-n aziatike, të triumfojë në kampionat dhe të fitojë Kupën e Kinës.
Ish-trajneri i përfaqësueses ka zëvendësuar në stol një tjetër “ish” të kuqezinjve, Ari Han. Holandezi u largua nga skuadra për shkak të rezultateve të dobta, madje ku për shumë javë Tianzhini ka rrezikuar të binte në kategorinë e dytë.
Kjo ishte detyra e dytë radhazi që Han shkarkohet, pas largimit nga Shqipëria në prill të vitit 2009. Për ironi të fatit, në të dyja rastet “tulipani” është zëvendësuar nga Kuzhe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›