E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësimi i dëmeve në Gërdec, 5 të pandehur

DËMET

Prokuroria e Tiranës, ka marrë të pandehur tre vlerësues të Bashkisë së Vorës dhe dy të ALUIZN-it, për rritje të vlerës së dëmeve

Shpërdorim detyre në bashkëpunim është akuza që i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 22 milionë lekësh të reja nga rivlerësimet

TIRANË- Abuzimet me vlerësimin e dëmeve të banesave të dëmtuara nga shpërthimi i punishtes së Gërdecit, ka bërë që prokuroria e Tiranës të marrë të pandehur 5 ekspertë, të cilët kanë kryer vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i vitit të kaluar në Gërdec. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët shtuan se mes pesë ekspertëve të pandehur, tre prej tyre janë punonjës të aluizmit ndërsa dy të tjerët punonjës të Bashkisë së Vorës.

Sipas riekspertimit të kryer nga një grup specialishtësh të caktuar nga prokurori i çështjes, ka rezultuar se pesë të pandehurit në vlerësimin e dëmeve kanë abuzuar, duke rritur vlerën e dëmtimeve në mënyrë artificiale. "Shuma e dëmit të shkaktuar shtetit nga vlerësimi i gabuar, kap shifrën e rreth 22 milionë lekëve të reja, shumë kjo që është evidentuar në gabimin e vlerësimit të dëmit në 24 banesa të fshatit Gërdec e Marqinet.

Për vlerësimin e gabuar, prokuroria ka marrë të pandehur pesë nga tetë ekspertët e grupit të parë të vlerësimit të dëmit, pasi kanë qenë këta pesë ekspertë që pa firmën e tre të tjerëve kanë vendosur shuma jo reale të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi punishtes së demontimit të municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec",-thuhet nga akuza. Sipas prokurorisë, pesë të pandehurit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kanë konsumuar veprat penale të "shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim.

"Qeveria, në bashkëpunim me bashkinë e Vorës, menjëherë pas ngjarjes së 15 marsit 2008, ngriti grupe pune për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i rreth 400 tonëve barut që ndodhej brenda punishtes së çmontimit të municioneve në Gërdec. Nga këto vlerësime, shumë banorë të zonës shprehën pakënaqësi, duke akuzuar grupet e vlerësimit të dëmeve për mbajtjen e dy standardeve gjatë vlerësimit.

Duke marrë shkas nga ankesat e shumta, prokuroria filloi procedimin penal kryesisht për dy grupe pune prej 10 personash, puna e të cilëve ishte kontestuar. 58 familjet e ankuara depozituan me shkrim pranë Bashkisë së Vorës pakënaqësitë e vlerësimit nga këto dy grupe dhe prokuroria e Tiranës, duke marrë shkas nga këto pakënaqësi filloi procedimin penal, duke e ndarë çështjen në dy dosje dhe duke ringritur një grup pune për rivlerësimin e këtyre dëmeve.

Pas kryerjes së këtij rivlerësimi, ekspertët e ngritur nga prokuroria kanë vlerësuar se vetëm në 24 banesa është rritur në mënyrë artificiale dëmi i shkaktuar, që kap shifrën e 22 milionë lekë të reja, ndërsa të tjerët ishte korrekt",-thanë burimet, të cilët kanë marrë të pandehur tashmë pesë ekspertët.

Përveç këtij riekspertimi, prokuroria,ka kryer verifikime të dokumentacionit të administruar në dosjet e vlerësimit dhe rishikuar denoncimet e banorëve të zonës, ku ka rezultuar se me veprimet dhe mosveprimet e kryera nga dy grupet e vlerësimit të dëmeve ekzistojnë elementë të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës" nga 5 ekspertët e caktuar për vlerësimin e dëmit.

Gjithashtu, këta ekspertë në disa raste kanë nënvlerësuar dëmet reale, duke shkruar në procesverbalet e dëmeve të evidentuara shumë më pak se sa ishin realisht, vlerësim ky që ka irrituar në atë kohë banorët e zonës, të cilët në disa raste dolën në protesta duke bllokuar edhe autostradën Tiranë - Durrës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›