E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria heton për dy raste të tjera të trafikut të makinave



TIRANË - Prokuroria e Tiranës filloi të enjten hetimet mbi 2 raste të reja të trafikut të mjeteve motorike, duke e çuar kështu në 5 numrin e procedimeve të regjistruara brenda kësaj jave për këtë lloj trafiku. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur për gazetën se kanë nisur hetimet për trafikimin e një mjeti tip “Ford Mustang”, i cili rezulton i vjedhur në Gjermani. Kjo makinë është bllokuar një ditë më parë nga Sektori i Antitrafikut në Policinë e Tiranës, gjatë kohës që drejtohej nga një 33- vjeçar nga Tirana. Po ashtu, organi i akuzës ka nisur hetimet edhe mbi trafikimin e mundshëm të automjeti tip “Benz”, me targa TR 5889 P, për të cilin është depozituar informacion se rezulton i vjedhur jashtë shtetit dhe dyshohet se është trafikuar nga shtetasi Gentian Fejzulla, 37 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Sipas burimeve të mësipërme, kallëzimet në fjalë te referuara nga policia kanë për objekt hetimi veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”. Gjatë muajit qershor, strukturat e Policisë së Shtetit realizuan një operacion të gjerë në shkallë vendi, duke bllokuar dhjetëra makina, kryesisht prodhime të viteve te fundit, të vjedhura jashtë shtetit. Ndërkohë që nën hetim për këto raste janë marrë disa persona të dyshuar, si të përfshirë në këtë veprimtari ilegale.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›