Bulqizë, shembet miniera e ferrokromit, një i plagosur
Sami Doga ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë pas aksidentit të gjashtë brenda pak muajve
BULQIZË- Miniera famëkeqe e Bulqizës është "rikthyer" sërish dje për të shënuar një tjetër viktimë në galeritë e saj të shumta. Minatori Sami Doga, 45 vjeç ndodhet në Spitalin Ushtarak në kryeqytet në gjendje të rëndë pas aksidentit të gjashtë brenda pak muajve në minierën e ferrokromit. Ai është zënë poshtë nga rënia e një masivi mineralesh në kohën kur po punonte për vendosjen e armaturës së galerisë. Kolegët e tij të punës e kanë ndihmuar duke e nxjerrë menjëherë nga galeria dhe më pas është dërguar me helikopter në kryeqytet për ndihmë të specializuar mjekësore.
Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se rreth orës 12.30 të paradites së djeshme ka ndodhur edhe aksidenti i radhës në minierën famëkeqe. Edhe pse miniera e ferrokromit në Bulqizë ka marrë pesë jetë minatorësh vetëm brenda këtij viti, ata vazhdojnë të hyjnë çdo ditë në thellësinë e saj për të nxjerrë bukën e përditshme. Edhe vetë minatorët e dinë që një ditë nuk do të dalin më të gjallë prej saj por ajo është e vetmja mundësi për të jetuar në një vend të harruar nga të gjithë, siç është Bulqiza. Sipas dëshmitarëve okularë, minatori Sami Doga, 45 vjeç është aksidentuar në pusin numër dy në nivelin e 16-të, rreth 1000 metra poshtë nivelit të portës së galerisë. Sami Doga ka qenë duke punuar së bashku me katër shokët e punës të tij. "Detyra e tyre ishte që të përgatisnin një furnel për kërkimin e kromit. Ata ishin duke vendosur kuadrate druri në mënyrë që të mbanin muret anësore të galerisë. Kur po i shikoja unë sapo kishin vendosur kuadratin e parë dhe po përpiqeshin që të vendosnin edhe kuadratin e dytë. Në një moment u dëgjua një zhurmë e madhe dhe galeria u mbulua nga tymi",- tha një nga minatorët që ndodhej në galeri së bashku me Dogën. Sipas tij, një masiv minerali kromi është shkëputur nga galeria dhe e ka zëne Sami Dogën poshtë duke i shkaktuar fraktura të rënda në të dyja këmbët. Kanë qenë katër minatorët e tjerë që po punonin me 45- vjeçarin, që kanë dhënë edhe alarmin dhe më pas e kanë nxjerrë atë nga masivi i kromit. Minatori 45- vjeçar është dërguar me urgjencë në sipërfaqen e minierës për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas ai është dërguar në spitalin eBulqizës por gjendja e tij kërkonte një kujdes më të specializuar. Për këtë arsye 45- vjeçari është dërguar me helikopter në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Ky është aksidenti i gjashtë në këtë minierë brenda një viti. Më tragjikë kanë qenë aksidentet e ndodhura më 11 qershor kur humbën jetën 40-vjeçari Hysen Lezi dhe 49-vjeçari, Avni Durici. Ata ishin në përfundim të turnit të punës, që mbyllet me përgatitjen e frontit të avancimit dhe plasjen e minave. Ndërsa ka shpëtuar falë ndodhjes më larg në momentin e shpërthimit minatori i tretë i atij fronti. Aksidenti u pasua me greva e protesta por sapo minatorët u rikthyen në punë miniera e Bulqizës shënoi viktimën e saj te tretë brenda pak ditëve. Zaim Hysa, minator me përvojë prej 23 vitesh, ka hyrë mëngjesin e asaj dite në galeritë e sektorit 14 të minierës por nuk ka mundur të dalë më i gjallë. Ai dhe një minator tjetër po kryenin inspektimet e nevojshme kur krejt papritur është mbuluar nga një masiv i madh material kromi i rënë nga tavani i galerisë ku ai punonte.