E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre Gjermanët e Trashë, në Londër

Pas dy reprizave këtë të martë dhe të mërkurë, dhe dy reprizave javën e ardhshme, shfaqja ‘Tre Gjermanët e Trashë II’ do të udhëtojë në Londër. Shfaqja në Londër do të jepet edhe në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Nga Albana S. Muja më 18 janar 2011 në ora 08:29

Pas suksesit me pjesën e parë, Tre Gjermanët e Trashë u kthyen prapë, me pjesën e dytë. Pas premierës në Teatrin Oda, shfaqja ka pasur tetë repriza, me shikueshmërinë e të cilave ekipi i ‘Tre Gjermanët e Trashë II’ është i kënaqur, ngaqë salla gjithherë ka qenë e mbushur.

Sipas Naser Rafunës, njërit prej aktorëve kyç të shfaqjes, për dallim nga pjesa e parë, autorësinë e së cilës e ka pasur gjithë grupi artistik, pjesa e dytë e shfaqjes është ndryshe. “Mendoj që kjo shfaqje si për nga teksti, si për nga vija dramatike dhe loja e aktorit, është punuar më mirë se shfaqja e parë, edhe pse shfaqja e parë na dha suksesin e nevojshëm për bërjen e të dytës. Pjesa e parë ka pasur sprova më shumë, sepse atëherë kemi filluar nga zeroja. Por, meqë publiku tani na njeh, s’kemi pasur nevojë për shumë reklamë”, tha Rafuna.

Sipas Rafunës, në shfaqjen e parë shikueshmëria ka filluar ta pushtojë teatrin tek pas reprizës së gjashtë, për dallim nga e dyta, kur që nga repriza e parë ka pasur numër rekord të shikueshmërisë.

“Jemi shumë të kënaqur me vizitën që i bëhet teatrit, dhe aksent i kësaj vizite është shfaqja jonë. Mendoj që është e rrugës të cilësohet si shfaqja më e suksesshme, për shkak të shikueshmërisë. Madje, kjo shfaqje, për dallim nga teatrot tjera, ku luhen dhe shfaqen pjesë të ndryshme, e ka thyer rekordin e deritanishëm të shikueshmërisë”, sqaroi ai.
Publiku është afër shfaqjes ndoshta edhe për një fakt tjetër. Ngase ndjenë nevojë për më tepër komedi, e sidomos për komedinë e zezë, një zhanër ky që e përmban shfaqja ‘Tre Gjermanët e Trashë’.

Sipas Rafunës, Teatri Oda vërtet është teatër alternativ, që të jep mundësinë e luksit, megjithëse rikthimi i shfaqjes ishte kërkesë e publikut.

“Ne jemi të kënaqur shumë me interesimin e publikut, i cili shpesh ka mbetur pa bileta. E, si aktor, sigurisht që je shumë i kënaqur kur sheh që publiku të do, ose kur e di se biletat shiten dy ditë para reprizës. I falënderohem publikut për këtë kënaqësi”.

Por, ‘Tre Gjermanët e Trashë II”, këtë herë vijnë me një mision të ri. Pas reprizave, këtë martë dhe të mërkurë, dhe dy reprizave tjera javën tjetër, shfaqja do të udhëtoj drejt Londrës. Shfaqja atje do të jepet një javë, megjithëse ‘Tre Gjermanët e Trashë’ do të performojnë për publikun londinez edhe në Ditën e Pavarësisë, përfundon Rafuna.

Klipi i “Tre gjermanëve të trashë”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›