Agolli: Po nuk u bashkua, e majta e ka të sigurt humbjen në qershor 2009
Aristir Lumezi
Patriarku i Partisë socialiste, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli përsërit domosdoshmërinë jetike të bashkimit të së majtës.
Duke folur dje për mediat, Agolli e sheh bashkimin e forcave të majta si një kërkesë, që ia kërkon dhe bashkimi i të djathtës. “Nëse nuk bien në marrëveshje dhe në një farë armëpushimi, të mos shkojnë bajonetë më bajonetë, atëherë mund të fitojnë zgjedhjet. Në të kundërtën, vetëm po të ndodhë ndonjë mrekulli, mundet të fitojë e vetme një forcë politike. Por e vetme është vështirë që të fitojë një forcë politike”, tha Agolli. Duke bërë ballafaqimin e të majtës me të djathtën shqiptare, dy blloqet që do luftojnë në zgjedhjet e qershorit të 2009 për të marrë ose mbajtur pushtetin, Agolli shprehet se PD e ka bërë zgjedhjen e saj. “Edhe PD që është një parti e madhe dhe në pushtet e ka parë të arsyeshme të bashkohet me aleatët e saj. Nëse nuk bashkohet atëherë nuk fiton dot”, thotë shkrimtari i njohur. Tashmë në moshën 77-vjeçare, ndonëse nuk është më pjesë aktive e strukturave të PS-së, ku dikur ka qenë deputet, Agolli shprehet pesimist për fitoren e së majtës, në rast se brenda saj vazhdojnë përplasjet mes partive të këtij grupimi. Gjatë intervistave të tij edhe në gazetën “Panorama”, shkrimtari i njohur i ka parë me sy kritik zhvillimet brenda të majtës, por dhe brenda PS dhe nuk ka nguruar t’i shprehë problemet dhe defektet ashtu siç ai i shikon. Agolli ka qenë kritik për tezat e kryetarit socialist Edi Rama për “aleanca përtej të majtës dhe të djathtës”. Ai ka kërkuar që përpara se Rama të bashkojë shqiptarët e majtë dhe të djathtë ai duhet të bashkojë të gjithë të majtën shqiptare, si partia më e madhe e të majtës, por të bashkojë gjithashtu dhe Partinë Socialiste, e cila pak kohë më parë rezultoi të çahej duke krijuar një grupim të ri politik brenda saj, PS ’91. të gjitha këto defekte Agolli është munduar t’i shprehë si shqetësim të tij, sa herë i është dhënë mundësia të komunikojë me mediat, por dhe në tryeza bashkëbisedimi ku është thirrur. Por në të gjitha këto konstatime, Agolli nuk është mirëkuptuar nga drejtues të PS-së, të cilët i kanë konsideruar vërejtjet reale të tij si prishje të makijazhit të së majtës në tërësi dhe PS-së në veçanti. Por shkrimtari i njohur i socialistëve, nuk ngurroi të dalë në krah edhe të referendumit për mbrojtjen e Kushtetutës, që u ndryshua në 21 prill me votat e PS dhe PD në mënyrë të rrufeshme, duke prishur balancat e pushteteve në Shqipëri dhe duke fuqizuar rolin e ekzekutivit. Agolli ishte një nga firmëtarët, që kërkoi referendum popullor për ndryshimet në Kushtetutë, kërkesë që ende nuk ka marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Por qëndrimet e Dritëro Agollit realiste dhe kundër rrymës datojnë, që në ditët e para të krijimit të PS-së. Në kongresin e 10 qershorit 1991, fjalimi i Agollit para delegatëve të kongresit dhe anëtarëve të Byrosë Politike të nomenklaturës së vjetër bëri, që raportet të ndryshonin në atë kongres dhe të rritej kritika ndaj udhëheqjes komuniste të asaj kohe. Kjo çoi në krijimin e klimës për krijimin e Partisë Socialiste.
Mbështeti grevën e urisë
Ish-deputeti socialist në një pjesë të legjislacionit të fundit, 2001-2005, Dritëro Agolli, mbështeti edhe sakrificën e një grupi deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët hynë pak ditë më parë në një grevë urie për të kontestuar Kodin e ri Zgjedhor. Agolli i telefonoi atyre, i mbështeti, i konsideroi revolucionarë, ndërsa kauzën e tyre e konsideroi të drejtë dhe realiste për t’u fituar. Agolli firmosi peticionin e mbi 160 intelektualëve bashkë me ish-presidentët Meidani dhe Moisiu drejtuar Presidentit të Republikës dhe ambasadorëve të huaj në Tiranë për t’i dhënë një zgjidhje pjesëmarrjes së partive parlamentare në administrimin e votës.