Gracka
Edmond Tupja
Para disa ditësh u mbyll Panairi i Librit në Tiranë, një ngjarje kjo me rëndësi kulturore në jetën e vendit. Po të gjykojmë nga numri i shtëpive botuese që morën pjesë në të, nga numri i titujve të botuar këtë vit e të ekspozuar në stendat e larmishme, si edhe nga numri i vizitorëve dhe, ndoshta ai i shitjeve, mund të pohohet që shqiptarët, prej disa kohësh, duken sikur po i kthehen seriozisht leximit. Gjatë ditëve të këtij panairi, miqtë e librit, të rritur e të vegjël, hynin në Pallatin e Kongreseve si në një tempull ku i prisnin risi fort interesante ...dhe të nevojshme për formimin e mendjes e të ndërgjegjes. Ditën e parë që vajta atje, pata përshtypjen se po bija në një grackë. Në një grackë të mrekullueshme. Nga e cila nuk kisha fare dëshirë të dilja. Një grackë bujare në shpërndarjen e dijeve e të kulturës. Tek kundroja atë mori mikëpritëse librash, m’u kujtua për një çast ëndrra e vjetër e Rilindasve tanë: “Vetëm drita e diturisë mund ta shpjerë përpara këtë vend”... Ah, mund të habiteni me të drejtë, ju, lexues të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës, zoti Tupja, deri tani nuk po thoni asgjë “kundër rrymës”! Por nëqoftëse unë do t’ju përmendja tani njëfarë realiteti deri diku të hidhur të jetës së përditshme kryeqytetase, atë të librave që shiten përtokë nëpër trotuare, atëherë me siguri që, duke e krahasuar atë me dukurinë “panair të librit”, ju do ta ndienit që diçka shkon, edhe në këtë rast, kundër rrymës. Gjithsesi, unë nuk jam nisur të flas për librat që dergjen trotuareve. Dua t’ju flas për një të papritur tronditëse që më priste brenda grackës së dashurisë për librin. Po shpjegohem.
Nuk do ta teproja sikur t’ju thosha se po bëheshin gati dy orë që hidhesha nga stenda në stendë duke shfletuar libra nga më të larmishmit e më tërheqësit, kur, befas, te stenda e shtëpisë botuese “Ombra GVG”, sytë më ngecën tek një libër pikërisht me titullin “Gracka” të Gëzim Tafës. Meqenëse e njihja autorin, nxitova ta blej. Për cilën grackë ta kishte vallë fjalën?... Dhe e lexova brenda ditës dhe një pjese të natës. Pa e lëshuar nga dora. Dhe mësova një të vërtetë të hidhur. Çfarë mësova? Mësova me hollësi të dhimbshme sesi u luftua pabesisht një botues i ndershëm, krijues i talentuar, origjinal e bujar, që dashurinë për librin dhe respektin e mirëfilltë për lexuesin e vë mbi fitimin, mbi paranë. Mësova me hollësi të dhimbshme sesi u përplas ai edhe me institucionin e mosmirënjohjes autoriale, edhe me atë të zilisë editoriale. Mësova me hollësi të dhimbshme sesi Drejtësia shqiptare u tregua çuditërisht e mjerisht e padrejtë me njërin nga botuesit tanë nga më fisnikët, për të mos thënë më fisniku, që i përket një race të rrallë, ndoshta në zhdukje e sipër për fatin e keq të botimeve tona në veçanti, por edhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Mësova me hollësi të dhimbshme se kur mosmirënjohja bashkohet me zilinë për të mashtruar vetë Drejtësinë, para njeriut të ndershëm hapen kërcënueshëm humnera të përbindshme. Mësova me hollësi të dhimbshme se kur mediat e përdorin lirinë e tyre për t’i mbajtur ison mosmirënjohjes së çiftuar me zilinë, atëherë ato fabrikojnë pranga të padukshme për lirinë e botimeve, pra, edhe për lirinë e kulturës.
Po, nga leximi tronditës i librit “Gracka” mësova me trishtim e zhgënjim se Gëzim Tafa e humbi gjyqin që e përballi me mosmirënjohjen dhe zilinë, që të dyja të institucionalizuara. Mirëpo, nga ana tjetër, me ngazëllim mësova se, duke e humbur, ai e paska fituar atë. Po, po, lexues të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime, mos u habisni! E fitoi ashtu si plaku i Heminguejit e fitoi betejën e tij me detin, ku peshkaqenët ia hëngrën peshkun gjigant që arriti ta kapte i vetëm fare. Por ai solli në breg skeletin e atij peshku, domethënë provën e fitores së vet. Për Gëzim Tafën, dëshmia e fitores së gjyqit të humbur është pikërisht libri “Gracka”, nga leximi i të cilit del e qartë se morali i tij qëndron më lart se mosmirënjohja autoriale, më lart se zilia editoriale, më lart se interpretimi dhe zbatimi i shtrembër i një ligji me gjasë të drejtë. Prandaj, po e përsëris, jam i bindur se duke e humbur gjyqin, ai e fitoi atë.