E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas “Darkës së gabuar” të Kadaresë

Agron Gjekmarkaj 

Rëndom ankohemi se Shqipëria po përjeton një krizë leximi. Ky konstatim bie sa herë del një libër i ri i shkrimtarit Ismail Kadare. Publikimi i romanit të fundit “Darka e gabuar” dhe radhët e gjata për ta patur atë libër, janë një tregues i qartë që shqiptarët lexojnë, por janë në kërkim të letërsisë cilësore, origjinale, të asaj që nuk është thjesht vetëm letërsi shqiptare, por njëkohësisht e përbotshme. Dhe lexuesi duhet përgëzuar për këtë nuhatje moderne! Nga këndvështrimi kontekstual tek ky roman kemi të bëjmë me një ngjarje që “Qyteti i Gjirokastrës, i mësuar me vizione të gjëra e të ndërlikuara për botën u duk se e humbi toruan, ndonëse ‘dihej që kishte raste kur asaj i dukej vetja më e mençur se Shqipëria’”. Mjafton kaq për të kuptuar se ky qytet është zgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë rrëfim të ri të Ismail Kadaresë, ashtu si “Kronikë në gur” apo “Çështje të  marrëzisë”, është zgjedhur për të komunikuar me botën e luftës dhe pas Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet mitit të besës dhe kanunit të Lek Dukagjinit. Në këtë rast miti i Besës shpreh diçka më universale, diçka nga jeta reale, një realitet që nëpërmjet saj manifestohet në formë mitologjike. Besa nuk shfaqet vetëm në sferën filozofike, morale e etike, por si një mekanizëm që vepron konkretisht në jetën e çdo shqiptari. Kësaj here nuk kemi një personazh baladik si Kostandini që i jep besën motrës së martuar larg, por një apo dy gjirokastritë doktor Gurameto i madh dhe doktor Gurameto i vogël, për të cilët i takon lexuesit të vendosë nëse janë dy apo është një i vetëm që i ka dhënë Besën një ushtaraku të lartë gjerman. Saktësojmë që në krye të herës që nuk ka një dhënie bese eksplicite, por të pranuar e të pretenduar si një bazë e përbashkët qytetërimore, shkrimtarit duket nuk është se i intereson në vetvete historia e luftës si e tillë, duke i parë shqiptarët dhe gjermanet si degë të të njëjtit trung mitologjik europian, ai i vendos në marrëdhënie të natyrshme komunikimi. Ç’është kjo ngjarje që trondit këtë qytet, i cili kureshtitë kur nuk i vinë nga larg i prodhon vetë?
Është koha e kapitullimit të Italisë dhe në logjikën e luftës natyrshëm vendin e tyre e zënë ushtritë gjermane, që hyrjen e tyre në Shqipëri e lajmërojnë me fletushka të hedhura nga ajri, ku lajmërojnë për kohën e mbërritjes, pretendojnë se po vijnë si miq, premtojnë pavarësinë e vendit, bashkimin e trojeve etnike, lëvdojnë virtytet shqiptare si mikpritja dhe besa, pra një pritje miqësore. Në dukje kemi një ngjashmëri me thirrjen “O i zoti i shpisë a don miq?”. Një pyetje që nuk ka nevojë për përgjigje, sepse kodi në nenin 602 automatikisht ka përgjigjen me marrjen e mikut në besë: “Shpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” dhe në nenin 642 thuhet: “...nëse thërret emrin tënd edhe në qoftë se kurrë nuk ka qenë në shtëpinë tënde, konsiderohet miku yt dhe çdo e keqe që i bëhet atij, njollos nderin tënd”. Por në hyrje të qytetit pararoja goditet dhe tani pritet zemërimi gjerman, dhe ai parashikohet dyfish i tmerrshëm sipas ligjit të luftës dhe sipas thyerjes së Besës. Rupat gjermane i komandon Fritz von Schwabe, mbajtës i kryqit të hekurt dhe shok studimesh i Gurametos së madh. Takimi ndërmjet tyre sillet rreth një pyetjeje – Pse më preve në besë? Kur sipas kanunit në të cilin gjermani beson duhej t’i ofrohej bukë, kripë dhe zemër. Për këtë gjë do të vriten 80 vetë. Dhe këtu mitologjia në lëvizje të pandalshme bëhet zotëruese në roman. Doktori duke ndier këtë peshë e fton kolonelin dhe njerëzit e tij në një darkë me shampanjë dhe muzikë që do të rezultojë misterioze, por fatlume për qytetarët që prisnin të ndëshkoheshin. Vihet re menjëherë një lidhje ndërmjet besës dhe vdekjes ku shkelja e njërës sjell tjetrën. Shkrimtari si edhe herë tjetër e paraqet mitin si një element themelor të jetës humane. Nga njëra anë na jep mitin klasik të pranishëm në mentalitetin popullor, e nga ana tjetër e teknicizon atë në funksion jashtëtekstual, duke i dhënë rolin e një dritareje  mbi shumë aspekte të jetës humane, qoftë edhe kur të qenit së bashku  në shoqëri, qoftë kur privatësia e një individi apo publikja e një kombi shfaqin anë të errëta. Raporti ndërmjet mitit dhe letërsisë tek “Darka e gabuar” shfaqet si një proces transformimi duke kaluar nga një kategori tek tjetra, nga tradicionalja e folkloristikja në regjistër letrar. Ky kalim e justifikon vetveten duke propozuar si perspektivë të vetën të kaluarën e duke e projektuar atë si ind të përbashkët të popujve të qytetëruar nga pikëpamja sociologjike. Marrëdhënien me aktualitetin e sheh pazgjidhshmërisht të lidhur me të kaluarën gjenuine e këtë në mënyrën më të sinqertë të mundur. Vetëm tek pastërtia e së kaluarës mund të ndërtohet një e ardhme e merituar për shqiptarët në atë zonë të botës ku u takon të jenë. Doktor Gurameto, një personazh i vetmuar, përfaqësues i sqimës së Gjirokastrës, por edhe i elitës së Shqipërisë të para komunizmit, ndonëse është gjithmonë i pranishëm në skenën e romanit, zhduket nga rrëfimi dhe me heshtjen e tij lë vetëm të tjerët të flasin për të, bashkëqytetarët e tij dhe shkrimtarin bashkëqytetar me ta. Ndërsa qenia e tij është goditur në elementin më thelbësor-tek komunikimi pikërisht këtu krijohet natyra fantastike e romanit, sepse një mister “ndërhyn në mënyrë brutale në jetën reale”. Koloneli ka vdekur para se Shqipëria të pushtohej nga ushtritë gjermane. Atëherë kush ishte ai që u paraqit si koloneli Von Schwabe? Më e pakta, paqartësia, i qaset lexuesit një ndjesi që lind nga mungesa e një motivimi eksplicit ose implicit nga kjo pamundësi për t’i vënë një emër ndodhisë. Lexuesi shtrëngohet të negociojë me tekstin për të gjetur herë pas here zgjidhje të enigmës, ose bëhet fjalë për ndonjë iluzion të krijuar nga Kadare, i cili më vonë do të sqarohet, pra kemi dhe kështu natyraliteti i gjërave nuk cenohet ose kemi të bëjmë me diçka “mbinatyrore që për ta shpjeguar nuk mjaftojnë ligjet e botës tonë”. Nga vendet kryesore të kampit socialist po hetojnë hetuesit më në zë dhe shpesh duket sikur jemi afër mundësisë të një shpjegimi të thjeshtë të asaj darke, ku një i gjallë vizitohet ndoshta nga një i vdekur dhe shpëtohen 80 pengje. Hezitimi është ajo ndjesi që na shpie në zemër të letërsisë fantastike, së paku për aq kohë sa lexuesi nuk ka vendosur të pranojë të mundurën, të logjikshmen apo të pamundurën, mbinatyralen. Dhe sigurisht në këtë paqartësi e shtyn Kadare lexuesin e tij, ose ndoshta i jep atij mundësinë të bëhet i pavarur në gjykimin e tij, duke i dhënë mundësinë t’i gjejë një zgjidhje kësaj enigme pa e kontestuar atë. Rrëfimi i ndihmuar nga shumë personazhe, orvatet të gjejë racionale, por mos i besoni atij është thjesht një kurth i ngrehur nga shkrimtari dhe lexuesi nuk ka tjetër rrugë të kalueshme veç ta ndjekë atë, sa më shumë i afrohemi asaj aq më shumë ajo largohet. Artifici letrar që shkrimtari përdor për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet planeve narrative konsiston në faktin që historia tregohet në vetë të tretë. Shkrimtarit e shijon shumë të përdorë të gjithë instrumentet rrëfimtarë për ta përfshirë lexuesin brenda historisë, por në të njëjtën kohë t’i kujtojë atij që pikërisht për një histori bëhet fjalë.
Siç na kujton Fabri: “Letërsia ndërton një tërësi shenjash që munden, por nuk duhet të respektojnë një koherencë përkundrejt botës reale, pra një botë që përdor atë botë vetëm në masën që i shërben asaj për të thënë një gjë tjetër”, një kumt të sajin ose një mesazh të kodifikuar ose jo të shkrimtarit. Prandaj do të ishte një lodhje e kotë po të lexohej ky roman me dëshirën për të gjetur në të histori.
Fati i një romani është i lidhur ngushtësisht me lexuesin që është i përfshirë në sistemin e domethënieve. Identiteti i llojit letrar romanor kërkon në mënyrë të paevitueshme horizonte pritjesh, kodesh, evolucionesh historike e publike dhe sisteme kulturale në lëvizje. Tashmë një gjë e tillë ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë kudo në Europë dhe botë. Ky tekst ka mundësi komunikimi të pakufizuara me lexuesin shqiptar, gjerman etj., iu flet të gjithëve me mite fantazi dhe stil unik. “Darka e gabuar” është një libër i jashtëzakonshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›