E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta ka përfunduar, Serbia ka humbur

Peter Zeihan, ekspert për Ballkanin Perëndimor i organizatës amerikane për studime strategjike, STRATFOR, vlerëson se NATO dhe BE janë zgjeruar deri në atë pikë, sa ua bëjnë të pamundur Serbisë e Rusisë të çrregullojnë diçka në rajon

A ka sjellë pavarësia e Kosovës më shumë stabilitet apo destabilitet për Ballkanin Perëndimor?

Ngjarja kryesore, sipas gjykimit tim, nuk është pavarësia e Kosovës, por Samiti i para pak ditëve i NATO-s, përkatësisht fakti se Kroacia e Shqipëria morën ftesën për anëtarësim, ndërsa Maqedonisë iu dërgua ftesa me kusht. Pas kësaj ngjarjeje, nëse e shihni hartën e Serbisë, do të vëreni se NATO i ka "çimentuar" plotësisht kufijtë e saj. Kjo do të thotë se qytetarët e Serbisë, që janë gati të dalin në votime, duhet të zgjedhin mes vetëshkatërrimit dhe pozicionit pa rëndësi strategjike.

Ata mund të zgjedhin shpresën iluzive se rusët do t‘u vijnë në ndihmë. Por për shkak të zgjerimit të NATO-s, rusët thjesht nuk munden, ose duhet të përpiqen të kryqëzojnë shpatën e luftës me NATO-n. Në këtë rast, Serbia do të jetë në grupin e vendeve evropiane me rëndësinë më të vogël. Mund të thuhet dhe kështu: qytetarët kanë zgjedhjen mes përparimit ekonomik me organizatën që i ka bombarduar, ose shkatërrimit. Kjo është ajo që u ka mbetur. Kanë humbur Kosovën, Malin e Zi, kanë humbur të gjitha republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Nëse pas kësaj zgjedhin kursin e konfrontimit, do të humbin edhe krahinën veriore. Do të bëhet protektorat afatgjatë i KB dhe NATO-s, sepse të gjitha drejtimet e komunikacionit serb, të gjithë kufijtë, të gjithë lumenjtë të çojnë në territor armik. Këtë situatë nuk do ta donte asnjë vend, por kjo është situata në të cilën ndodhet tani Serbia. Pra, e parë nga perspektiva e Perëndimit, lufta ka përfunduar, Serbia ka humbur. NATO dhe BE tani janë zgjeruar deri në atë pikë, në të cilën nuk është e mundur që Serbia ose Rusia të ndryshojnë ose çrregullojnë çfarëdo gjëje në rajon.

Po, por BE akoma e fton Serbinë t‘i bashkohet...

Gjithsesi, Serbia është e mirëpritur t‘i bashkohet BE-së, por me kushtet që i ka përcaktuar BE, për të cilat nuk do të bisedohet, ashtu si nuk do të bisedohet as për Kosovën.

Çfarë zhvillimi të situatës prisni në Kosovë, veçanërisht në veri të saj?

Mbani parasysh se Kosova për një afat të gjatë nuk do të jetë vend i pavarur, në kuptimin funksional. Ajo do të jetë protektorat i BE-së dhe në një masë më të pakët protektorat i NATO-s, të paktën dhe një gjeneratë. Pas tetë vitesh administrimi të huaj, akoma nuk ka as bazën e sistemit të pavarur të qeverisjes. Kështu që është naiv optimizmi të besohet se BE do të ketë sukses ta ndërtojë atë me përpjekjen e parë.

Nga këndvështrimi perëndimor, qëllimi parësor nuk ka qenë bërja e Kosovës funksionale, por që ngadalë dhe në mënyrë të sigurt të mënjanohet ndikimi rus nga Ballkani. Të tillë (ndikim rus) nuk ka më as në Bullgari, Hungari, as në vendet e tjera të bllokut lindor. Pra, Perëndimi është mjaft agresiv në këtë lojë gjeopolitike dhe kjo është e pandryshueshme.

Pse Ballkani perëndimor është kaq i rëndësishëm? A nuk kemi dëgjuar aq herë se amerikanët do të tërhiqen, sepse në këtë rajon nuk kanë asnjë interes strategjik?

Tani, kur ndikimi rus është mënjanuar nga rajoni, pres zvogëlimin relativ, jo të shpejtë, të trupave amerikane në gjithë rajonin. NATO është garant i sigurisë për BE-në, por ajo do të jetë dhe përgjegjëse për frenimin e kriminalitetit, për sistemin e drejtësisë, për rritjen ekonomike, të drejtat e pakicave etj. Kemi arritur në pikën kur Serbia nuk është më e aftë për t‘i shkaktuar probleme as NATO-s e as fqinjëve të vet. Kjo do të thotë se trupat amerikane nuk janë më të domosdoshme në rajon. Amerika do të mbajë nivel mjaft të ulët të diplomacisë, nuk do të largohet nga skena, por në thelb do t‘ia lejë gjithçka misionit të BE-së. Siç thashë, në kuptimin e pranisë së saj ushtarake, ajo është e përgatitur për largim nga rajoni. Duhet të keni në mendje se pavarësia e Kosovës nuk ka ndodhur vetëm për Kosovën. Për evropianët, ajo do të thotë heqje e pengesave të mundshme që i ka krijuar Serbia, si në tregun e përbashkët evropian, ashtu dhe në zgjerimin e BE-së. Për amerikanët, ajo ka qenë mjet për zmbrapsjen e ndikimit rus nga rajoni. Askush pra nuk e ka mbështetur Kosovën, sepse e ka menduar pavarësinë e Kosovës si idenë më të mirë. Për sa i përket veriut të Kosovës, se çfarë do të ndodhë atje, do të varet në masë të madhe nga synimi i Beogradit. NATO nuk ka kapacitet që nga dita në ditë në mënyrë sistematike të imponojë zgjidhje në veri të Kosovës. Kjo do të thotë se nëse njësitë paraushtarake e njësitë policore të Serbisë vendosin të marrin mbrojtjen e serbëve në veri të Kosovës, është mjaft e besueshme se do të kemi ndarjen "de fakto" të Mitrovicës. Unë nuk mund të them se kjo zgjidhje është e qartë ose e pashmangshme, por vendimi për këtë do të merret në Beograd e jo në Uashington e Bruksel. NATO dhe BE thjesht nuk kanë kapacitet për ta penguar, kështu që nëse Serbia do të donte ta impononte këtë zgjedhje, ajo mund ta bënte.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›