E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria anashkaloi idetë e KOP për pronat e legalizimet”

• Shumë ide të KOP-it në vitin 2005, u anashkaluan me ose pa qëllim nga qeveria e Partisë Demokratike. Ish-këshilltari i Kryeministrit Berisha për reformën e pronësisë, Besnik Aliaj, flet në një intervistë për gazetën "Panorama", për dy çështjet më kryesore të kësaj reforme, të paraqitura me bujë nga PD-ja, gjatë fushatës elektorale, kthimin dhe kompensimin e pronave dhe procesin e legalizimeve.

ADI SHKEMBI

Sipas Aliajt vendi drejtohet nga 50 deri në 200 familje, të cilat kontrollojnë të gjithë ekonominë, teksa shpjegon edhe katër shtyllat e ekonomisë mbi të cilat duhet të ngrihet procesi i legalizimit të saj.
Prej mëse një viti ju jeni shkëputur nga stafi i Kryeministrit Berisha dhe vetëm pak ditë më parë keni nxjerrë një libër të cilin e quani "Misteri i gjashtë". Për çfarë bëhet fjalë në këtë libër?
Në vitin 2005 kam pasur një pozicionim me anë të angazhimit në KOP-it me PD-në dhe ballafaqimit me zonën elektorale 99. Në atë kohë u propozua një reformë, e cila synonte të ndikonte sado pak territorin dhe shoqërinë nëpërmjet qenies prezent në nivelin politik aty ku merren mendimet. Në atë kohë u përpoqëm të hartojmë një platformë, e cila përveçse ishte e shqiptuar me fjalë për publikun ishte dhe e hedhur në letër në mënyrë më simbolike. Pjesë të kësaj ideje janë adoptuar nga PD-ja, pjesë të saj janë neglizhuar, nuk janë marrë në konsideratë dhe pjesë të tjera janë keqpërdorur. Pjesërisht kemi arritur t'i impaktojmë lidhur me fenomenin e administrimit të territorit, pronësinë dhe ekonominë formale. Libri ishte një detyrim moral ndaj vetvetes, kolegëve të KOP, universitetit Polis për të ripozicionuar idetë që kam shfaqur në 2005, jo në gjuhë vetëm teknike, por të jenë të kapshme edhe për qytetarët e nivelit mesatar. Për të kuptuar se çfarë kemi thënë ne në 2005, çfarë kam artikuluar unë personalisht.
Për të bërë një balancë të atyre që ju thoni, sa nga këto ide që ju i keni hedhur në vitin 2005, i shikoni të realizuara në këto vite të qeverisjes së PD-së?
Eshtë e vështirë ta matim me shifra. Ka ide që janë respektuar, ka ide që janë neglizhuar, ose janë lënë me qëllim, ose pa qëllim jashtë vëmendjes. Kjo është një betejë shumë e vështirë. Çështja e pronësisë dhe e komplikuar në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës Lindore. S'mund të diskutohet ngushtësisht vetëm me PD-në, apo vetëm me PS-në, sesa me një diskutim për atë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë periudhës së tranzicionit dhe para saj. Në vitin 1976 ne vulosëm një sistem pronësor, që ishte krejt ndryshe nga sistemi i krijuar në gjithë botën. Ne shkuam në një regjim ekstrem. Ne mohuam dhe shkatërruam ADN-në e pronës. Në fillim të viteve '90, kur filloi rikthimi drejt ekonomisë së tregut dhe në mënyrë organike rikthimi edhe drejt modelit origjinal, ne patëm një shans të madh për ta rikthyer atje ku e lamë çështjen e pronësisë dhe territorit. Këtu shoqëria jonë nuk ishte e përgatitur. Por mbi të gjitha klasa politike që trashëguam nga regjimi i kaluar, jo vetëm që nuk ishte e përgatitur për ekonomi tregu, por ishte kundër saj. Në thelb ata ishin me mjaft eksperiencë që të parandalonin rrezikun që asetet pronësore të kalonin drejt klasave, që dikur ishin të përmbysura. S'mund ta lejonin këtë gjë, sepse e kishin kuptuar që në sistemin e ekonomisë së tregut është shumë e rëndësishme kur kontrollon asetet e pronësisë. Ne na është cenuar ADN e pronës dhe fatkeqësisht Kushtetuta e 1976 dhe Ligji 7501, janë një lloj grushti shteti në kuptimin social, është strategji e aplikuar nga elitat sot në Shqipëri, të cilat sipas opinionit tim nuk janë më shumë se 50 deri në 200 familje elitare të cilat kontrollojnë gjithë vendimmarrjen në vend, kontrollojnë politikë bërjen dhe kanë ndërtuar një sistem, i cili vazhdon të pengojë shkuarjen e pronës te pronarët e vërtetë. Nëpërmjet cenimit të ADN-së së pronës është cenuar jo vetëm ekonomia e tregut, por edhe ADN e demokracisë në Shqipëri.
Rreth 4 muaj më parë, ju keni organizuar një tryezë për çështjen e pronësisë, në të cilën Presidenti Topi është shprehur mjaft kritik për kthimin dhe kompensimin e pronave. Çfarë mendoni për këto vite të PD-së lidhur me këtë çështje?
Presidenti në një moment të caktuar ka treguar interes, e ka pozicionuar veten në favor të investimit për të zgjidhur këtë çështje, pavarësisht se çdo ditë kalon e rrit faturën në këtë drejtim. Unë i mbështes kritikat e presidentit. Ka pasur një mungesë vullneti të qartë politik gjatë këtyre 2 dekadave. Nuk mund t'ia lëmë faturën vetëm njërit apo tjetrit. Të gjitha qeveritë nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë sabotuar zgjidhjen e këtij problemi. Ka ardhur koha që ta shikojmë sy më sy trajtimin e këtij problemi. Ne mund të integrohemi edhe nesër në BE apo NATO përmes një vendimi politik, por do na duhen vite për t'u integruar, për shkak të reformave të ngadalshme në këto institucione. Në bazë të kërkimit shkencor që unë kam bërë mendoj se, nëse do ecim me ritmin aktual Shqipërisë do t'i duhen 3 deri në 4 dekada që të integrohet me nivelin mesatar të Evropës, kur është momenti që ne bëhemi një vend normal evropian. Por ka ende shpresë nga ana tjetër që, nëse ne duam ta bëjmë këto 4 dekada duke i ngushtuar në 5 apo 10 vjet, kjo realizohet me reforma, ku pika A e saj është reforma e pronësisë. Asnjëherë nuk është vonë, dëmet që janë shkaktuar janë të mëdha, por pa pasur kurajo të trajtojmë këtë çështje do të jetë e kotë të diskutojë për integrim në botën moderne.
Kur mund të përfundojnë reforma e pronësisë në Shqipëri?
Unë do të isha jo korrekt që të thosha, që nuk është punuar, por ato që janë bërë deri më sot ende janë larg asaj çfarë duhet të jetë. Ende nuk ekziston besimi mes qytetarëve dhe sistemit të regjistrimit të pasurive, planifikimit urban dhe legalizimit. Por unë besoj se sipas një formule, të cilën unë e kam propozuar ku trajtohet jo vetëm kthimi i pronave, legalizimi por edhe strehimi publik, mjedisi, planifikimi, nëse trajtohen sipas një formule dhe recete që unë besoj, brenda 2 mandateve politikë mund të rikthehet një stabilitet politik dhe social. Duhet të kemi njëlloj marrëveshje sociale dhe një marrëveshje politike midis shoqërisë dhe forcave politike. Siç kemi rënë dakord që do integrohemi në NATO dhe BE, duhet të biem dakord që çështjen e pronësisë ta trajtojmë dhe ta zgjidhim sepse nuk na lë të ecim para. Eshtë si një litar që na ka kapur dhe s'na lë të ikim më tutje.
Në vitin 2005, gjatë fushatës elektorale, u tha se çështja e pronave do të ishte prioritet i PD-së. A është ky sot një premtim i pambajtur?
Unë mendoj se janë bërë përpjekje. Sot nuk flitet për sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, siç flitej para 2005. Reputacioni i këtij institucioni është me probleme, por nuk është aq i zi sa çka qenë në të kaluarën. Ende sistemi ka probleme. Në lidhje me kthimin e pronave është bërë pak. Megjithëse thuhet se, 80% e pretendimeve janë sqaruar, por nuk është punuar me kompensimet unë do thosha që kjo forcë politike, e cila përfaqëson direkt interesat e këtij grupi shoqëror, realisht nuk e ka bërë ende si duhet detyrimin ndaj këtyre shtresave, madje deri diku shpesh herë është neglizhuar. Madje edhe kontributet financiare që janë dhënë për kthimin e pronës dhe asetet publike që duhet të ishin vendosur në llogari, ashtu siç ne pretenduam në 2005 nuk kanë ecur në ritmin dhe kërkesat e duhura. Numri i aseteve të alokuara në favor të kthimit të pronave është ende modest dhe nuk është ai ritëm me të cilën kërkohet. Në lidhje me planifikimin e territorit, ka një dështim total. Pas kthimit të pronave, kjo është fusha tjetër ku ka një dështim. Për 3 vjet ende nuk është bërë një ligj për urbanistikën. Kjo tregon se, institucionet përkatëse kanë dështuar fatkeqësisht. Në aspektet mjedisore ka një lloj përpjekje më serioze, por problemet mjedisore janë në rritje. Strehimi mbetet ende një sfidë, megjithëse ka një lloj ngërçi. Eshtë zbatuar një politikë, e cila ka synuar që të skarcojë ato biznese të dyshimta, që vijnë nga burime jo të qarta, por ka një bllokim të një nga sektorëve më të rëndësishëm që mund t'i japë hov ekonomisë.
Një tjetër proces i nisur me bujë nga PD-ja është ai i legalizimit të ndërtimeve pa leje. Por ende nuk ka një produkt real të këtij procesi. A mund të quhet ai sot i dështuar?
Nuk mund të themi që ka dështuar, është shumë herët për ta thënë. Megjithatë unë do të pretendoja një ritëm akoma më të shpejtë. Sidoqoftë që t'i japim një gjykim më të drejtë për punën që ka bërë qeveria në këto 3 vjet, na duhet të shikojmë plotësimin e mandatit të plotë 4-vjeçar. Gjatë këtyre 3 vjetëve është punuar shumë për të bërë fotografimin ajror, për të përgatitur legjislacionin dhe të gjitha detajet e tjera. Këto institucione kanë funksionuar edhe në rastin e Gërdecit. Eshtë punuar në këtë drejtim, por ende s'ka rezultate të prekshme. Mendoj që edhe për arsye politike, efekti i këtyre reformave do të ndihet para zgjedhjeve. Veçse këtu PD duhet t'i rezistojë një tundimi shumë të madh, sepse në fund të katër vjetëve nuk duhet të ndodhemi në një situatë, ku kemi pajisur qytetarët me certifikata. Kjo është gjysma më e lehtë e punës, sepse gjysma më e vështirë është pas dhënies së certifikatave, krahas kësaj duhet të punohet me pajisjen e njerëzve me infrastrukturë dhe shërbime publike, për përmirësimin e kushteve të tyre të jetës. Ai është integrimi real dhe i plotë i këtyre qytetarëve me pjesën tjetër të shoqërisë. Vetëm atëherë certifikatat e tyre mund të shkëmbehen me shitblerje, mund të merret kredi. Për të konkluduar, unë do të prisja një ritëm më të madh pas vitit të dytë, do të doja të shikoja rezultate të prekshme, por s'duhet të bien në gabimin e reduktimit të procesit të legalizimit në dhënien e një certifikate.
Po fakti që brenda dy viteve ky ligj është amenduar të paktën pesë herë?
Projekti që ne paraqitëm ka ndryshuar në shumë aspekte. U hartua një draft, ministria dha opinionet e veta, u trajtua në mbledhjen e qeverisë, ministritë dhanë opinionet e tyre. Drafti shkoi në komisionet parlamentare, të cilat dhanë komentet e tyre, ju e mbani mend debatin e madh që u bë në atë fazë. Ligji shkoi më pas në parlament, opozita dha komentet e veta. Më pas shkoi te presidenti, i cili e ktheu dhe i gjithë procesi u kalua sërish. Ligji i hartuar nga ai i aprovuar pati goxha ndryshime dhe ndryshimet jo në të gjitha rastet ishin më të mirat. Gabimet në këtë rast ishin të klasës politike, veçanërisht në debatet për interes politik që u bënë në parlament, ku secila palë u përpoq të merrte kredon e vet politike. Koston e pagoi ligji dhe procesi. Ky proces nuk duhet sabotuar, me gjithë vështirësitë që ka duhet mbështetur. Ky proces ka të bëjë me fatin 500 mijë familjeve shqiptare, të cilat janë të lidhura me informalitetin.
Çfarë ka ndodhur realisht me këtë proces?
Ne krahas ligjit punuam edhe me Hernando De Soton. U trajnua edhe një ekip në kryeministri dhe bëri një analizë të situatës. Raporti ka qenë objekt diskutimi në qeveri dhe nëpër ministri. Ky raport është një skanim se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë tranzicionit. Në thelb ekonomia përbëhet nga 4 segmente, ku tre prej tyre nuk janë shumë të shëndetshme. I pari është segmenti i ekonomisë kriminale që kontrollohet nga krimi i organizuar, ndaj të cilit qeveritë kanë qenë të detyruara të veprojnë. Kjo pjesë e ekonomisë që shkon 15-20% ka ardhur duke u reduktuar për shkak të presionit ndërkombëtar dhe reagimit të shoqërisë. Ky segment duhet të eliminohet. Së dyti është segmenti i ekonomisë informale, i cili ka të bëjë me 30-35% të ekonomisë dhe është ajo pjesë e shoqërisë, e cila ka qenë në gjendje të vështirë ekonomike. Këtu futen shtresat në nevojë, pensionistët dhe të varfrit, të cilët duke mos pasur alternativa të përballueshme financiarisht, kanë qenë të detyruar të shtyhen për të mbijetuar drejt zgjidhjeve informale. Mënyra si duhet trajtuar ky segment është nëpërmjet Ligjit të Legalizimit. Segmenti i treti ka të bëjë me atë që quhet ekstra-ligjor, i cili është grada më e ulët e informalitetit. Në thelb ky është një grup që shkon diku në 20-25%, është një grup mjaft i rëndësishëm për reformat e qeverisjes. Këtu futen ato pjesë të pronësisë dhe bizneseve, të cilat mund të jenë dhe të ligjshme, por që në një mënyrë ose një tjetër nuk funksionojnë si të tilla. Kjo përqindje e ekonomisë ka të bëjë me mosfunksionimin burokracinë dhe inefeciencën e shtetit. Këtu duhet të jetë vëmendja kryesore e reformave. Ndërsa segmenti i katërt që është deri diku te 20% është pjesa e ekonomisë 100% formale. Kjo fatkeqësisht është pjesa më e shëndetshme e shoqërisë nga pikëpamja e pronësisë dhe biznesit, por fatkeqësisht kjo është pjesa e shoqërisë që mban edhe faturën më të madhe të reformave. Kjo është pjesa e shoqërisë që mban barrën fiskale. Rasti i KESH-it është shembulli më tipik: Ai që është më i rregullt, ai paguan gjithmonë më shumë, ai që s'paguan vazhdon të mos paguajë. Me mençuri nëse qeveria do të punojë më me efikasitet me segmentin e tretë dhe të dytë do arrijë të rrisë gamën e ekonomisë formale. Duke goditur edhe grupet kriminale do kemi një përqindje të madhe, që do kontribuojë për rivendosjen e rregullit juridik dhe social në vend, kthimin e besimit te sistemi i ekonomisë së tregut dhe demokracia, kthimin dhe rikuperimin e ADN-së së pronës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›