E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mugabe, ikja e vështirë e një diktatori

Ndërsa kriza dhe paqartësia mbretërojnë në Zimbabve pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, që kanë sjellë në vend një situatë kaotike, njerëzit e thjeshtë janë të etur për ndryshime, pas viteve të stërgjata në pushtet të Presidentit Mugabe

Zimbabveja ndodhet në një situatë me të vërtetë kaotike. Kjo ndihet që kur zbret nga avioni në një aeroport në të cilin gjërat nuk kanë shkuar mirë kurrë, por në rrethanat e vështira post-zgjedhore rrëmuja është shndërruar në mbretëreshë. Për të huajt që vënë këmbën në këtë vend për herë të parë, pas përballjes me pluhurin e rrëmujën, vjen përballja me një nga fenomenet më të zakonshme të vendit, madje një nga më të zakonshmit e kontinentit. Për shkak të inflacionit shumë të lartë, monedha vendase është zhvleftësuar në atë masë, saqë për të blerë një shishe ujë të duhet një shumë e madhe dollarësh zimbabvezë. Më konkretisht, shishja e ujit pa gaz vlen plot 10 milionë dollarë vendas. Ndërsa nëse do të porosisësh edhe për të ngrënë, të duhet të nxjerrësh qindra milionë dollarë. Dollari vendas është një nga monedhat më të pavlera të botës. Praktikisht, si për ironi të fatit, në këtë vend, ndër më të varfrit në botë, thuajse e gjithë popullsia është milionere, madje miliardere. Zhvleftësimi i parasë ka ndodhur me një shpejtësi marramendëse kohët e fundit. Jo shumë kohë më parë, me një sasi prej 204 milionë dollarësh mund të blije një minierë ari në jug të vendit, prej së cilës me siguri që nuk do të mbeteshe pa gjë. Ose në vend të minierës mund të blije ndonjë fabrikë me rreth 100 punëtorë, mund të blije hapësira të mëdha toke, ose edhe ndërtesa. Një vit më parë, me të njëjtën sasi parash mund të blije edhe një vilë shumë luksoze në një nga lagjet më të pasura e më të shtrenjta të Harares. Madje edhe së fundmi mund të blije një makinë të mirë, ndërsa që prej pak kohe e njëjta sasi parash me të cilën mund të kishe blerë botën, nuk mjafton as për një shishe me ujë pa gaz. Ky është një tregues për një situatë shumë të rëndë ekonomike, e cila tregon më së miri shkallë e krizës në të cilën ka rënë vendi. Një nga sektorët më të rëndësishëm e më fitimprurës të ekonomisë së vendit ishte turizmi. Jo shumë kohë më parë ai ishte në lulëzim të plotë me turistë që vinin në vendin e qetë nga të gjitha anët e botës, për të shijuar një natyrë të mrekullueshme, si dhe një ushqim të jashtëzakonshëm, për të mos folur për doket e zakonet e trevave në thellësi të vendit. Sot, pas trazirave të zgjedhjeve dhe ndryshimit drastik të çmimeve, kjo degë e ekonomisë ka rënë në mjerim, duke ulur shumë ndjeshëm të ardhurat për një pjesë të madhe të popullsisë, e cila e mbante frymën gjallë vetëm përmes biznesit të turizmit. Dhe nuk është vetëm turizmi ai që vuan. I gjithë vendi, e gjithë popullsia ndodhet në një pozicion të gjunjëzuar nga mënyra se si politikanët e vendit qeverisin në mënyrë të pamëshirshme. Tashmë të gjithë e dinë mirë se e vetmja forcë që vë në lëvizje liderët e tyre është etja për pushtet, etja për të qenë për një kohë sa më të gjatë në krye të vendit për ta vjelë e për ta shitur e varfëruar aty ku nuk mban më. Situata arriti në ekstrem katër javët e fundit të kaosit post-zgjedhor. Në vend sot është një mision i pamundur gjetja e ndonjë personi që mund të thotë ende gjysmë fjale të mirë për Mugaben. Përveç mendimit për Mugaben, të gjithë kanë edhe mendimin e tjetër se gjërat duhet të ndryshojnë dhe se vetëm ndryshimi rrënjësor do të sjellë stabilitet dhe begati. Zimbabveja është e rëndësishme për banorët e saj, por nga ana tjetër ajo është shumë e rëndësishme edhe për vetë kontinentin. Në të shkuarën ajo ishte shembull i përparimit dhe rastet nga ky vend i tregonin botës se edhe një vend afrikan mund të ketë një shtresë inteligjence, mund t‘u siguronte banorëve kujdes shëndetësor, mund të kishte banka të rregullta e funksionale, të cilat nuk kërcënoheshin vazhdimisht nga sulmet e rebelëve, apo nga faktorë të tjerë destabilizues dhe së fundmi se edhe një vend afrikan mund të prodhonte mallrat e tij, disa prej të cilave ishin shumë konkurruese edhe në tregjet botërore. Së fundmi, Zimbabveja solli shembullin e keq, krejt të kundërtën e asaj që ishte përpjekur të tregonte për vite me radhë, pra të faktit se një vend që ka ecur në një rrugë pozitive për shumë vjet, mund të rikthehet pas në të shkuarën e shkatërruar për një periudhë shumë të shkurtër kohe. Periudha e mbarë dhe e begatë e Zimbabvesë ishte deri në vitet ‘90. Bujqësia jepte prodhime, shërbimet gjithashtu funksionin shumë mirë dhe shteti investonte pareshtur në arsim e shëndetësi, duke "prodhuar" njerëzit më të kulturuar në të gjithë kontinentin. Si pasojë, edhe jetëgjatësia ishte rritur ndjeshëm me dhjetëvjeçarë të shkuar, duke arritur moshën 60-vjeçare. Kjo ishte situata në të shkuarën dhe kjo mund të jetë edhe në të ardhme, në rast se gjërat do të shkojnë siç duhet pas kësaj krize të rëndë që ka shkatërruar veç ekonomisë edhe imazhin e vendit në kontinent, por edhe më gjerë. Por për momentin situata në vend është shumë e rrezikshme dhe shpërthyese. Nën qeverisjen e Mugabes, vendi u është nënshtruar vjedhjeve të njëpasnjëshme nga ana e klasës qeverisëse dhe asaj të ushtarakëve. Pra politikanët dhe ushtria kanë qenë dhe janë e keqja e vendit. Pikërisht për këtë arsye edhe ikja e kësaj klase politike është kaq e vështirë. Mugabe dhe njerëzit e tij janë gati t‘i venë zjarrin vendit vetëm për të mos lënë që t‘u ikin nga duart përfitimet dhe pushteti. Ata kanë shkatërruar pjesën më të madhe të fermerëve, të cilët prodhonin produktet ushqimore që e bënin krenar vendin te fqinjët e tyre. Ata kontrollojnë edhe sistemin thellësisht të korruptuar të shkëmbimit valutor të vendit, i cili garanton pasuri për ta dhe varfëri të madhe për njerëzit. Çdo aspekt i jetës dhe i ekonomisë në Zimbabve kontrollohet nga zyrtarët e lartë të Presidentit Mugabe, njeriut që ka 30 vjet në pushtet. Në këtë kontekst si mund ta lejojnë ato opozitën që të shpallë fitoren? Sjellja e pushtetarëve ndaj opozitës është ndër më të egrat që ka njohur vendi pas pushtimit kolonial e trazirave që përfshinë vendin para se të fitonte pavarësinë. Por pavarësisht kësaj, e veçanta e kësaj here, pavarësisht pushtetit të forcës dhe parave të grumbulluara në duart e një grushti njerëzish, njerëzit janë tërësisht kundër klasës qeverisëse dhe ata nuk kanë për ta lejuar më që të ushtrojë pushtetin e saj të errët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›