Lufta kundër kancerit do të jetë prioritet i mazhorancës në mandatin e dytë
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, marshim simbolik me Ambasadorin Amerikan dhe gratë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
TIRANE - Beteja kundër sëmundjes së shekullit, tumorit të gjirit, duhet të jetë një kryqëzatë e fortë. Ka qenë ky apeli që ka dhënë dje Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë pjesëmarrjes në marshimin simbolik të luftës kundër kancerit të gjirit në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në këtë marshim merrte pjesë edhe Ambasadori Amerikan në Tiranë John Withers.
Marshimi i këtij lloji, u bë pas lëvizjes dy vjeçare që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ka marrë në çdo fshat e qytet. Kryetarja e Kuvendit, falënderoi përzemërsisht pjesëmarrëset për këtë aktivitet me simbolikë shumë domethënëse për të gjitha përpjekjet në luftën kundër kancerit.
“Nuk do të rresh kurrë së kërkuari që çdo nënë çdo zonjë, çdo motër të bëjnë kujdes për shëndetin e tyre, që të prevenojnë atë që mund të jetë fatale, por mbi të cilën, ne mund të fitojmë. Unë gjithmonë kam besuar se një nënë e sëmurë është një familje e sëmurë, një nënë e sëmurë është një shoqëri e sëmurë, ndaj dhe beteja jonë do të jetë një kryqëzatë e fortë kundër sëmundjes së shekullit, kundër kancerit, kundër kancerit të gjirit, kundër kancerit të mitrës. Unë besoj fort se po të tregohemi vetëm pak të kujdesshme, secila me miken, me shoqen, me të dashurën, me nënën, me motrën dhe ti thonë atyre që të shkojnë të bëjnë skaner, të bëjnë mamografi, të bëjnë eko, ne mund të fitojmë mbi këtë sëmundje të tmerrshme. Dhe unë dua dhe besoj se pastaj çdo nënë e shëndetshme është një komb i shëndetshëm, çdo grua e shëndetshme është një familje e shëndetshme. Unë ju ftoj të gjitha ju dhe nëpërmjet jush të gjitha zonjat e Tiranës, Durrësit, Fierit, Lushnjes Gjirokastrës, të Shkodrës, Kukësit dhe të gjithë qyteteve e fshatrave, shkoni dhe bëni mamografi, shkoni dhe bëni paptestin. Kështu ne mund të shpëtojmë nga përballja me një sëmundje shumë të vështirë, kështu ne mund të fitojmë”, deklaroi Topalli.
Një apel të veçantë, kryeparlamentarja iu drejtoi nënave që kanë vajza të reja 13 vjeçe 14, 15 që të shkojnë të bëjnë vaksinën kundër kancerit e qafës së mitrës, që ne po e subvencionojmë.
“Kushton po s’ka fare rëndësi sa shumë kushton. Ne do ta subvencionojmë dhe ne duhet të shpëtojmë qysh vajza 13 vjeç për të mos folur pastaj që kur të shkojnë 30, 50 , 60- të përballen me këto sëmundje kaq të rrezikshme. Ne do të subvencionojmë edhe mamografitë Në qoftë se sot paguani pak, në vitet e ardhshme nuk do të paguani më, as për paptestin, as për mamografinë. Lufta kundër kancerit do të jetë prioritet i ynë dhe ky është një premtim që do ta mbajmë”, përfundoi Topalli.