Vota e 28 qershorit, votë për të ardhmen e të rinjve shqiptarë

Kryetari i FRPD-së, Gerti Bogdani takohet me të rinjtë demokratë të Peshkopisë
TIRANE - Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka zhvilluar një takim me të rinjtë demokratë të Peshkopisë, me të cilët ka diskutuar për kontributin e tyre në procesin e ardhshëm zgjedhor. Gjatë takimit, kryetari i FRPD-se u shpreh se tashmë të rinjtë shqiptarë gjenden mes dy zgjedhjeve, të ecin përpara apo të ecin prapa, aty ku duan të na çojnë socialistët. Të majtët, tha Bogdani, na kanë çuar gjithmonë prapa.
“Është PD ajo që ka lëvizur Shqipërinë një herë nga komunizmi në demokraci dhe tani nga demokracia në Evropë, aty ku Shqipëria e ka vendin”, theksoi ai.
Për Bogdanin është e rëndësishme që në 28 qershor të jemi të bashkuar dhe të qartë për votën.
“Është shumë e rëndësishme që në 28 qershor ju të jeni krahë PD-së dhe të ndihmoni strukturat e kësaj force, sepse realisht vota e 28 qershorit është një votë për të ardhmen tonë”, vuri në dukje Bogdani përpara të rinjve të Peshkopisë.
Kryetari i FRPD-së nënvizoi se PD është e para forcë ne vend që hap dyert për të rinjtë dhe që i mirëpret të rinjtë.
“PD nuk i përdor të rinjtë si fasadë elektorale, siç bënë Edi Rama nëpër mitingjet e tij, i cili i merr nga Tirana dhe i çon qytet më qytet dhe i përdor për background”, cilësoi ai.
Duke u bërë thirrje të rinjve të Peshkopisë që të aplikojnë për karta identiteti, ai u shpreh se “thuhet se kartat janë taksë mbi votën”.
“Kjo nuk është e vërtetë sepse çmimi i tyre është vetëm 200 lekë për studentët. Opozita ka frikë nga zhdukja e certifikatave, që linin shteg për abuzime gjatë votimeve”, u shpreh kreu i FRPD-së, Gerti Bogdani.