E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çdo vendim ekonomik duhet të marrë parasysh edhe standardet mjedisore”

Kryetari i LSI-së takon delegacionin e të Gjelbërve Evropianë

TIRANE - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje gjatë një takimi me një delegacion të të Gjelbërve Evropianë, të kryesuar nga Kryekoordinatori i të Gjelbërve Gjermanë në Parlamentin Evropian, Majkëll Shversshverdt dhe nga Ann de Bur, se çdo vendim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik duhet të merret duke pasur në konsideratë standardet mjedisore. Gjatë takimit, ku merrnin pjesë edhe Kryetari i KDK-së së LSI, Edmond Haxhinasto, si dhe kryetari i Partisë së Gjelbër shqiptare, Edlir Petanaj, u diskutua lidhur me kujdesin dhe prioritetin që i jep mjedisit programi qeverisës i koalicionit të përbashkët të LSI me Partinë e Gjelbër shqiptare.
Pas bashkëbisedimit me drejtuesit e të gjelbërve evropianë, Meta u shpreh se LSI i jep një rëndësi të madhe çështjes së mjedisit për programin elektoral, por edhe qeverisës të katër viteve të ardhshme. Meta theksoi se LSI dhe koalicioni ynë bën një diferencë të madhe me forcat e tjera politike në mënyrë të veçantë ndaj çështjeve të mjedisit. Duke përcaktuar këto çështje si të një rëndësie vendimtare dhe kombëtare për të ardhmen e vendit, LSI angazhohet që çdo vendim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të merret duke pasur në konsideratë në radhë të parë standardet mjedisore, garantoi kreu i LSI.
Nga ana e tij Kryekoordinatori i të Gjelbërve Gjermanë në Parlamentin Evropian, u shpreh se do ta mbështesin fuqishëm Partinë e Gjelbër shqiptare dhe koalicionin e kryesuar nga LSI. Ai theksoi se çështjet e mjedisit janë të gërshetuara me çështjet sociale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›