Ina Rama: Angazhim maksimal për zbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, tha sot se grupi hetimor është angazhuar maksimalisht për të zbardhur vrasjen e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, pak ditë më parë në Roskovec të Fierit. "Po punohet fort", tha Kryeprokurorja Ina Rama, duke i'u përgjigjur interesimit të medias për punën hetimore që po bëhet nga strukturat shtetërore mbi këtë ngjarje të rëndë, pas një aktiviteti që zhvilloi në Hotel "Sheraton", në Tiranë. Prokurorja e Përgjithshme nuk ka preferuar të flasë për detaje të hetimit të çështjes. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, mbeti i vrarë mbrëmjen e së shtunës së kaluar, në një atentat me armë zjarri, pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit. Ndërkohë që, për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorit të saj, është ngritur një grup i gjerë hetimor, me përbërje specialistët më të mirë të Policisë, Prokurorisë si dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, (SHISH). Grupi hetimor mësohet se ka ngritur disa pista konkrete, por, që nuk bëhen të ditura për shkak se hetimet për ngjarjen janë në zhvillim e sipër. Vrasja e deputetit Xhindi është dënuar ashpër nga autoritetet më të larta shtetërore, të cilët, duke e konsideruar si një ngjarje tepër të rëndë, kanë kërkuar zbardhjen e saj dhe vënien para drejtësisë dhe ndëshkimin e autorit.
...