E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta kundër trafikimit, Meta: Me rëndësi për imazhin e vendit

TIRANE- Roli i shoqërisë civile në luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore dhe krimit të organizuar është me rëndësi të madhe për të arritur sukses të plotë. Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta gjatë ceremonisë së vlerësimit të zonjës Vera Lesko, kontribuese në luftën ndaj trafikut të qënieve njerëzore, vuri theksin te rëndësia që ka kjo luftë në procesin e liberalizimit të vizave. “Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore, lufta kundër krimit të organizuar është e një rëndësie vendimtare për një imazh akoma më premtues të Shqipërisë në botë, për të fituar liberalizimin e vizave sa më shpejt. Shpresojmë që në pak vite kjo plagë të shërohet përfundimisht ” u shpreh Meta. Numri dy i qeverisë i dorëzoi Kryetares së Nderit të Qendrës "Vatra", Vera Lesko çertifikatën e Mirënjohjes për kontributin e saj në mbrojtje të viktimave të trafikut. Aktiviteti i Lesko i ka kaluar prej kohësh kufijtë e Shqipërisë, pasi është nderuar me disa çmime ndërkombëtare, ndër të cilat ka marrë vlerësimin nga Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Hillari Klinton si një nga 9 heroinat në botë, në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore.Vera Lesko ka marrë edhe çmimin e Kurajos të akorduar nga Zonja e Parë e SHBA-së, Mishel Obama, që i është dorëzuar nga Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›