Shqipëri-BE, - një rrugëtim në rritje
Nga Laerta KEQI*
Aspiratat e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve 1990 menjëherë pas shembjes të regjimit komunist. Është mjaft domethënëse për shqiptarët, thirrja e njohur: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Rruga e vetme për tu ndarë me izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike u njësua me integrimin europian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Marrëveshjet e para të Shqipërisë me Bashkimin Europian u vendosën më 1990. Ishin marrëdhëniet diplomatike, më pas në vitin 1992 të dyja palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Europian. Nga kjo marrëveshje Shqipëria mundi të përfitonte nga regjimet preferenciale tregtare që Bashkimi Europian u ofronte vendeve të tjera. Që nga viti 1992, marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian u bënë më të ngushta dhe u zgjeruan në fusha të ndryshme. Bashkimi Europian u bë donatori kryesor për Shqipërinë, duke ofruar mbështetje për zhvillimin e saj. Shqipëria përfitoi nga ndihmat e akorduara nga BE-ja për vendet e Europës Lindore, të akorduara nga programi PHARE. Gjatë viteve 1991-1996 ndihma e përgjithshme e BE-së për Shqipërinë llogaritet 511 milion euro, të cilat janë shpërndarë; një pjesë për asistencë teknike, si konsulencë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, e administratës, trajnime e studime, dhe pjesë të tjera për investime në infrastrukturë, në sektorin e prodhimit, në atë shoqëror, administratën publike dhe në zhvillimin rajonal. Zhvillimin e shpejtë që dëshmoi Shqipëria bëri që në vitin 1995 të zhvilloheshin marrëdhëniet e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Po në këtë vit, Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Europës.
Mbështetja e BE-së për Shqipërinë në procesin e Stabilizim-Asocimit dhe të Marrëveshjes të Stabilizim- Asocimit, BE-ja ofroi mbështetjen financiare nëpërmjet programit CARDS ( Ndihma Komunitare për Zhvillim, Rindërtim dhe Stabilizim), i cili vendosi programet e mëparshme PHARE dhe OBNOVA. Në periudhën 2001-2004, ndihma e BE-së për Shqipërinë në kuadrin e programit CARDS arrin rreth 180 milion euro. Këto fonde ishin të destinuara për rindërtimin e infrastrukturës, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal që u përqendrua në disa fusha prioritare, si për shembull: Forcimin e administratës publike dhe gjyqësorit, policia e rendit publik, doganat, zhvillimi i infrastrukturës, demokracia dhe të drejtat e njeriut, arsimi, zhvillimi i komuniteteve lokale, bujqësia, bashkëpunimi ndërkufitar dhe mjedisi.
Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi marrëveshjen e lehtësimit të vizave me Shqipërinë. Marrëveshja parashikonte edhe rritjen e fondeve për Ballkanin për rritjen e sigurisë së kufijve. “Është në interesin e BE-së që të rrisim fondet për këtë qëllim”, - është deklaruar eurodeputeti Libor Ruek. Kushtet për Shqipërinë mbeten: Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe kushtet teknike për pajisjen me dokumente identiteti. “Ne duhet të asistojmë autoritetet shqiptare për hartimin e regjistrit civil dhe për pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike”, - thuhet në një deklaratë të Brukselit zyrtar. Përmes kësaj marrëveshjeje, çmimi për viza për qytetarët shqiptarë shkon në 35 euro dhe jo më 60.
Shtete si Zvicra janë një ndër donatorët kryesorë në Shqipëri. Rezultatet e mira, si dhe agjenda transparente kanë krijuar një imazh të mirë për Bashkëpunimin Zviceran në Shqipëri, si një partner të njohur dhe të dëshirueshëm. Angazhimi i Zvicrës është plotësues në procesin e pranimit në BE, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe Zvicra ofron mbështetjen e saj atje ku ajo përkon me objektivat zvicerane për të ndihmuar në periudhën e tranzicionit që përputhen me strategjinë aktuale dhe ku Zvicra mund të
shfrytëzojë një avantazh krahasues. Ajo punon së bashku me donatorë dhe institucione të tjera në mënyrë që kjo mbështetje të mund të strukturohet më me efektivitet. Pikat në të cilat është fokusuar Zvicra janë; demokratizimi dhe qeverisja, zhvillimi i sektorit privat dhe infrastruktura bazë dhe shërbimet sociale. Këto janë prioritetet e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, që nënkupton që qeveria merr pjesë gjithashtu në financimin e projekteve dhe programeve. Siç edhe e dimë, Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në rrugën e saj të integrimit Euro-Atlantik. Më 1 prill 2009 hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE-në; më 4 prill Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO, dhe më 28 prill, Qeveria Shqiptare paraqiti kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat. Këto arritje janë një tregues i rëndësishëm i progresit të bërë nga Shqipëria në disa fusha, dhe njohjes që anëtarët e BE-së dhe NATO-s i bënë këtyre arritjeve. Treguesit ekonomiko-socialë, gjithnjë në përmirësim, e bëjnë Shqipërinë shumë atraktiv ndaj investimeve të huaja. Dhe në këtë kuadër, presim dhe nxisim që projektet e bashkëpunimit me partnerët italianë si dhe investimeve të huaja direkte nga shteti fqinj të vijnë në rritje. Në lidhje me koordinimin e donatorëve, Shqipëria, si një nga vendet nënshkruese të Deklaratës së Parisit mbi Efektivitetin e Ndihmës së Huaj që nga viti 2005, vazhdon të jetë plotësisht e angazhuar në parimet e saj të zbatimit efektiv, të rritjes së pronësisë dhe harmonizimin e politikave dhe strategjive të zhvillimit.
Nga ana tjetër, një vëmendje e veçantë i është kushtuar përkthimit të strategjive dhe burimeve financiare në programe operative të prioritizuara dhe të orientuara drejt rezultateve. Në këndvështrimin e qeverisë shqiptare, integrimi europian dhe procesi i Stabilizim-Asocimit i ka sjellë rajonit tonë një perspektivë të re bashkëpunimi, zhvillimi politik dhe ekonomik. Jo vetëm që ka rritur vëmendjen e Bashkimit Europian dhe aktorëve të tjerë global mbi Ballkanin, por, gjithashtu ka stimuluar iniciativat e vendit tonë në thellim të reformave. Për shumë nga ne, ky ishte fillimi i një procesi të gjatë se duke e parë nga një këndvështrim rajonal, prospekti i integrimit europian ka pasur një vlerë të shtuar harmonizuese në përcaktimin e një emëruesi të përbashkët për zhvillimin e vendeve të përfshira. Në këtë kuadër, vazhdimësia e bashkëpunimit politik dhe ekonomik si dhe mbështetja e dimensionit rajonal të politikave të zhvillimit është një kusht i domosdoshëm. Rritja e efektivitetit të përdorimit të fondeve të brendshme dhe të huaja si edhe bashkërendimi me politikat prioritare ngelet e rëndësishme, për zhvillimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
*Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare
2 Gusht 2010