E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta ndaj drogës në Ballkan, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit



Shqipëria ka vendosur që të ndihmojë në luftën ndaj trafikut të drogës në Evropë, duke bashkëpunuar edhe me vendet e tjera të Ballkanit. Ditën e djeshme u nënshkrua në Beograd një marrëveshje bashkëpunimi, në bazë të së cilës vendet e rajonit do të rrisin bashkëpunimin në trafikun e drogave të lehta dhe atyre të forta. Në raportet e fundit të publikuara nga organizatat ndërkombëtare, rajoni i Ballkanit është etiketuar si ura kryesore e drogës së sjellë nga vendet amerikano-latine dhe Afganistani. Por, tashmë, Shqipëria nuk është më vend i preferuar i trafikantëve, të cilët kanë filluar të parapëlqejnë ta kalojnë drogën nëpërmjet Rumanisë dhe Bullgarisë. Në një takim të delegacionit shqiptar, të zhvilluar me shefin e Kombeve të Bashkuara për drogën, Antonio Maria Costa, zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, i prezantoi arritjet e policisë shqiptare në luftën ndaj lëndëve narkotike, duke deklaruar se tashmë Shqipëria nuk është më një vend i sigurt për trafikimin e lëndëve narkotike. Ndërkohë që nga ana e tij, Costa u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime impresionuese në luftën ndaj drogës. “Shqipëria ka qenë vazhdimisht nën monitorimin e UNODC për rezultatet në luftën ndaj drogës dhe këto rezultate kanë ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit. Raporti i fundit i dalë në muajin shkurt nga UNODC ka vlerësuar me nota pozitive punën e bërë nga Policia e Shtetit në luftën ndaj lëndëve narkotike, duke e nxjerrë Shqipërinë nga harta e trafikut”, - u shpreh Costa.

Z. Strazmiri deklaroi se këto rezultate janë arritur në radhë të parë “si rezultat i vullnetit politik për të luftuar me tolerancë zero krimin e organizuar e trafiqet e paligjshme, falë përkushtimit të punës profesionale të bërë nga strukturat e policisë, si dhe falë bashkëpunimit me policitë homologe të vendeve të rajonit”. Në takim u ra dakord për të vazhduar më tej bashkëpunimin e suksesshëm që kanë pasur deri tani.

Takimi

UNODC, Agjencia e OKB-së për Luftën ndaj Krimit të Organizuar dhe Drogës, ka mbledhur në Beograd në datat 30-31 mars 2009 qeveritë e vendeve të rajonit me përfaqësi nga Ministria e Brendshme, e Drejtësisë dhe e Shëndetësisë, për të bashkërenduar luftën kundër drogave dhe krimit. Ky takim është në vazhdën e disa nismave rajonale që kanë pasur si qëllim bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, drogave e trafiqeve të paligjshme. Përfaqësuesit e qeverive të rajonit kanë firmosur me UNODC një marrëveshje, e cila synon luftën me tolerancë zero ndaj drogës dhe krimit në rajon. Delegacioni i qeverisë shqiptare kryesohej nga zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Policia e Shtetit. Gjatë këtij takimi, zëvendësministri i Brendshëm shpjegoi rëndësinë që ka për qeverinë shqiptare bashkëpunimi me vendet e rajonit në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme. Në mënyrë të përmbledhur, delegacioni shqiptar paraqiti arritjet dhe rezultatet e Shqipërisë në luftën ndaj krimit të organizuar, përparimet e bëra në kuadrin ligjor duke filluar që nga viti 2005. Një rëndësi të veçantë i është kushtuar nga z. Strazimiri përparimit të bërë në luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike, ku nga statistikat e policisë italiane, lënda narkotike e trafikuar nga Shqipëria për në Itali është reduktuar vetëm në 4 kg, nga disa tonë që ka qenë në vitet e mëparshme. Ndërkohë që hapa pozitivë nga qeveria shqiptare janë bërë edhe në parandalimin e përdorimit të lëndëve narkotike, si dhe masat e marra për rehabilitimin e përdoruesve.

Sistemi i drejtësisë

Zëvendësministri Strazimiri foli edhe për hapat pozitivë të bërë në kuadrin ligjor për konsolidimin e sistemit të drejtësisë, ku është përmirësuar ligji për sistemin gjyqësor, ligji organik i prokurorisë, madje është sanksionuar në këto ligje se gjyqtarët dhe prokurorët do të dalin vetëm nga Shkolla e Magjistraturës, si dhe e gjithë administrata gjyqësore i është nënshtruar trajnimeve të vazhdueshme. Përpjekje të suksesshme nga qeveria shqiptare janë bërë edhe në automatizimin e informacioneve në gjykata.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›