Vendimi; Akuzohen për vrasje, 28 vjet burg për pjesëtarët e familjes Zaka
Shpallen fajtorë dhe dënohen me 28 vjet burg në total 4 pjesëtarët e së njëjtës familje, të cilët akuzohen për përleshjen me thika të 2 shkurtit të vitit 2008 mes dy familjeve Zaka dhe Oshafi. Gjykata e Tiranës shpalli fajtor dhe dënoi me nga 9 vjet burg dy vëllezërit Bledar dhe Armand Zaka. Për vëllanë e tyre më të vogël, Nertil Zaka dhe për të atin, Izmirin, të cilët po gjykoheshin në gjendje të lirë, gjykata dha dënimin e saj me nga 5 vjet burg secili. Po ashtu, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Kreshnik Omari theksoi se i pandehuri Nertil Zaka për shkak të moshës së tij të vogël, nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale gjatë këtyre dy viteve. Dy seanca më parë, prokurori i çështjes kërkoi nga gjykata dënimin e katër të pandehurve me 34 vjet burg. Ata akuzohen për veprat penale të “plagosjes së lehtë me dashje”. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare një seancë më parë, prokurori kërkoi dënimin me nga 5 vjet burg për të pandehurit Izmir e Nertil Zaka, dhe nga 12 vjet burg për të pandehurit Bledar e Armand Zaka. Sipas akuzës, mosmarrëveshja e ka zanafillën në fillim të vitit 2007, kur një çift bashkëshortësh, konkretisht djali i familjes Zaka dhe nusja e tij nga familja Oshafi, patën një keqkuptim mes tyre për shkak se nuk po arrinin të lindnin fëmijë. Kjo situatë nuk zgjati shumë dhe çifti i bashkëshortëve përfundoi në divorc, por historia nuk mbyllet këtu. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, mosmarrëveshjet që sollën përleshjen masive me thika mes dy familjeve, lindën pikërisht pas divorcit të dy bashkëshortëve, të cilët bashkë me prindërit e tyre, sipas hetimit, fajësonin njëri-tjetrin për gjithçka kishte ndodhur. Vajza e familjes Oshafi dhe veçanërisht nëna e saj, fajësonte djalin e familjes Zaka për faktin se gruaja nuk kishte lindur fëmijë. Pas këtyre pretendimeve që duket se kanë vazhduar në kohë, sipas hetimeve, në ditët e para të muajit shkurt 2008, dy familjet patën një përleshje me thika mes tyre, çka u bë shkak për pesë të plagosur rëndë, të cilët përfunduan në Spitalin Ushtarak.