Lufta ndaj korrupsionit në Kosovë, EULEX-i u bën kontroll zyrave të PTK-së
Policia e misionit EULEX ka kontrolluar ditën e djeshme zyrat e ndërtesës së Postë-Telekomit të Kosovës. Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave 13 makina të policisë kanë rrethuar ndërtesën e PTK-së në Dardani, ndërkohë që disa agjentë janë futur në ambjentet e saj. Sipas burimeve, forcat policore kanë kontrolluar edhe 8 zyra të PTK-së, tre në Prishtinë dhe pesë në Pejë, si dhe shtëpinë e drejtorit të PTK-së Shyqyri Hoxha. Lidhur me bastisjen nuk ka ende një njoftim zyrtar, por institucioni i PTK-së është përfolur shumë për korrupsion dhe dukuri të tjera negative. Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, tha se bastisjet janë të ndërlidhura me hetimet për dyshime ne lidhje me çështje financiare dhe korrupsion. “Pjesë e këtyre hetimeve është bartja e licencës për telekomunikim të një operatori në rrjetin celular virtual, në vitin 2007 dhe 2008, ndërmjet kompanisë “Dardafon” dhe PTK-së, e cila dyshohet se është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Prandaj, zyrat e kompanisë “Dardafon”, zyrat e kompanisë “Devolli Group” dhe kompania “Z mobile”, si dhe banesat e përfaqësuesve të këtyre kompanive janë kontrolluar nga policët e EULEX-it”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se u kontrollua edhe zyra e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqeri Haxha, si dhe pronat private të tij. Këto kontrolle, sipas Krasniqit, janë të lidhura edhe me një hetim të dytë për korrupsion. EULEX-i kontrolloi gjithsej tetë lokacione, tri në Prishtinë dhe pesë në Pejë, por nuk raportohet për të ndaluar. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në kuadër të Task-Forcës kundër korrupsionit janë pjesë e aktiviteteve që EULEX-i është duke zhvilluar. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se përveç kësaj nuk mund të jepen detaje të tjera për hetimet, pasi, siç tha ai, procesi po kryesohet nga EULEX-i. “Zyrtarët e Policisë së Kosovës janë duke asistuar ata zyrtarë që janë në kuadër të Task-Forcës së krijuar të anti-korrupsionit. Kjo është e tëra çfarë mund t’ju them lidhur me këtë bastisje”, u shpreh Kelani. Opozita në Kosovë, ndërkaq, i quan lajme të mira për Kosovën kontrollet aktuale që po ndërmerr EULEX-i. Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, theksoi se megjithatë duhet të bëhet një ndarje në mes të përgjegjësisë penale e asaj politike. Arifi kritikoi qeverinë aktuale për ekzistimin e, siç tha ai, sistemi korruptiv në Kosovë. “Ne duhet ta ndajmë përgjegjësinë penale dhe përgjegjësinë politike. Ne akuzojmë Qeverinë Thaçi se ka krijuar koncept korruptiv me këtë qeverisje. Korrupsioni që nga ardhja e qeverisë Thaçi ka qenë pjesë normale e aktivitetit qeverisës”, tha Arifi. Kontrollet e para që EULEX-i i ka bërë lidhur me dyshimet për korrupsion kanë qenë lokacionet e Ministrisë së Transportit e Postë-Telekomunikacionit dhe pronat private të ministrit, Fatmir Limaj. Hetimet ndaj Limajt janë duke vazhduar, ndërsa ditë më parë EULEX-i arrestoi personin e parë, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në çështje korruptive, këshilltarin e ministrit të Shëndetësisë në Kosovë, Ilir Tolaj.
BOX
Haradinaj kundërshton qeverinë: “Jo status të veçantë për veriun”
Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kundërshtuar vendosjen së një statusi të veçantë për veriun e vendit. Haradinaj tha se nëse kjo do të ndodhë, atëherë rrezikohet edhe statusi Kosovës. Ai shtoi se qeveria duhet të ketë plane për ta integruar veriun, por sipas tij, kjo nuk po ndodh për shkak se ekzekutivit të vendit i intereson një gjendje e tillë nga e cila edhe mund të zhvillohet më lehtë korrupsioni. Kreu i AAK shton se situata në veri të vendit nuk është e mirë dhe për këtë ai ia faturoi fajin kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit Fatmir Sejdiu.
Thaçi shkarkon zëvendësministrin Dedaj pa marrë detyrën
Kryeministri, Hashim Thaçi ka shkarkuar nga detyra e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Gjergj Dedajn, për shkak të keqpërdorimit të detyrës dhe keqmenaxhimin që Dedaj e ka bërë gjatë periudhës kur ka ushtruar detyrën e Zëvendësministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”. Veprimi i kryeministrit Thaçi vjen në vazhdën e luftës së ndaj korrupsionit, dukurive negative dhe është në funksion të fuqizimit të qeverisjes së mirë, transparente dhe efektive, në shërbim të interesave të qytetarëve të vendit.
16 Korrik 2010