Merkel në Rusi, arrihen marrëveshje të rëndësishme ekonomike
Vizita e kancelares gjermane, Angela Merkel në Rusi i ka shërbyer arritjes së disa marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike mes dy vendeve. Më herët ishte bërë e ditur se marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Rusisë synohej të forcoheshin. Për këtë arsye, Merkel është nisur me një delegacion të madh për në Rusi, të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të ekonomisë për në këshillimet qeveritare gjermano-ruse në Jekaterinburg. Dy shtetet do të bashkëpunojnë më ngushtë para së gjithash në ekonomi dhe shkencë. Para fillimit të këshillimeve qeveritare gjermano-ruse kancelarja Angela Merkel u takua me shefin e Kremlinit, Dimitri Medvedev. Përveç Merkelit, në takim morën pjesë edhe ministri i Jashtëm Guido Uestervelle dhe anëtarë të tjerë kabineti. Në prani të kancelares, Merkel dhe të presidentit rus, Medvedev, koncerni Siemens nënshkroi një marrëveshje për 240 trena rajonalë me vlerë 2,2 miliardë euro. Sipërmarrja planifikon gjithashtu me dy partnerë lokalë krijimin e një firme të përbashkët në sektorin e energjisë së erës. Deri në 2020-ën, Rusia do të investojë në këtë fushë të së ardhmes rreth pesë miliardë euro. Prej tyre Siemens-i mund të përfitojë rreth një miliard euro.
Zhbogar: “Maqedonia deri në nëntor do të anëtarësohet në NATO”
Maqedonia, deri në nëntor të këtij viti, do të anëtarësohet në NATO, e më pas edhe në Bashkimin Europian. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zhbogar, pas takimit me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton në Uashington.
“Është koha që deri në nëntor të arrihet marrëveshje që Maqedonia të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, ndërsa në dhjetor datën për negociata me BE-në”, ka thënë Zhbogar. Mediat maqedonase raportojnë se gjatë takimit në Uashington është biseduar edhe për integrimet euroatlantike të vendeve të tjera të rajonit. Klinton dhe Zhbogar kanë rënë dakord se tashmë është momenti për t’u arritur marrëveshja për zgjidhjen e kontestit rreth emrit ndërmjet autoriteteve në Shkup dhe në Athinë. Vetëm në këtë mënyrë Maqedonisë do t'i bëhej thirrja për anëtarësim në NATO në muajin nëntor, ndërsa në dhjetor do të mund të fillonte negociatat me Bashkimin Europian.
16 Korrik 2010