E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta për bananet, drejt zgjidhjes

Zyrtarët e tregtisë nga Europa dhe Amerika Latine janë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje që mund t‘i japë fund një lufte tregtare 14-vjeçare në Organizatën Botërore të Tregtisë, njoftoi dje "Financial Times". Kjo ka qenë beteja më e gjatë për tregti të lirë e shënuar ndonjëherë në botë. Sipas një projekt-marrëveshjeje të hartuar nga palët, Bashkimi Europian ka premtuar të ulë ndjeshëm tarifat doganore për importet e bananeve dhe disa dhjetëra produkteve të tjera bujqësore nga disa vende tropikale. Marrëveshja mund të nënshkruhet brenda kësaj jave. Palët janë ende në bisedime me Shtetet e Bashkuara, por kanë bindjen se e kanë mbështetjen e Uashingtonit për këtë marrëveshje.

"Lufta e Bananeve" filloi në vitin 1993 dhe ka shkaktuar debate të gjera që nga ajo kohë. Mungesa e marrëveshjes për bananet ka bllokuar një pjesë të rëndësishme të programit të liberalizimit të tregtisë botërore, që njihet përgjithësisht si "Diskutimet e Dohas".

Në vitin 1993, Bashkimi Europian u dha akses të privilegjuar ish-kolonive britanike dhe franceze në Afrikë, Karaibe dhe Pacifik. Importet e bananeve në BE u taksuan me rreth 176 euro për ton, ndërkohë që importet nga ish-kolonitë nuk u taksuan. Ekuadori, Hondurasi dhe vende të tjera, të cilët i prodhojnë bananet me kosto të papërfillshme, u ankuan në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe patën sukses. Në debat u përfshinë edhe Shtetet e Bashkuara, ku kompanitë vendëse, "Chiquita" e "Dole", kërkuan respektimin e parimit të tregtisë së lirë. BE i përdori tarifat e bananeve si një lehtësim ekonomik për ish-kolonitë e veta, të cilat kanë varësi të theksuar nga eksportet e këtij produkti dhe kanë kosto më të lartë se sa vendet e tjera prodhuese. Sipas marrëveshjes, BE do t‘i ulë menjëherë taksat për bananet nga 176 euro që është aktualisht, në 148 euro pas nënshkrimit. Ekspertët mendojnë se kaq do të mjaftojë që tregu europian të hapet për pjesën tjetër të botës. Brenda shtatë viteve të ardhshme, taksimi duhet të ulet deri në 114 euro për ton. Ish-kolonitë europiane do të marrin 190 milionë euro ndihma nga Brukseli, në mënyrë që të ristrukturojnë ekonomitë e veta për të zëvendësuar humbjet nga eksportet e bananeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›