E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet për herë të tretë buxheti afatmesëm

Qeveria shqiptare miratoi për herë të tretë brenda këtij viti një dokument të quajtur Programi Buxhetor Afatmesëm 2010-2012, por nuk sqaroi se për çfarë arsyeje ky dokument është ndryshuar kaq shpesh. Qeveria e pati miratuar fillimisht Programin Buxhetor në prill, e ndryshoi atë në shtator dhe e miratoi edhe një herë dje. Përveç kësaj, qeveria ka miratuar dhe ndryshuar së paku tri herë një dokument tjetër të quajtur Kuadri Makroekonomik dhe Fiskal 2010-1012, i cili mbart praktikisht të njëjtat të dhëna.

"Sot, mbledhja ka një axhendë të ngjeshur dhe të rëndësishme, por kryefjala e saj është miratimi i dokumentit të programit buxhetor afatmesëm 2010-2012. Ai i vitit 2013 do të shtrihet drejt mandatit tjetër. Si risi dhe specifika të këtij buxheti afatmesëm, ai është në distancë buxheti më i madh që ka njohur vendi. Buxheti i viteve 2010-2012 është buxhet i transformimit të thellë të Shqipërisë, i formësimit përfundimtar të shëmbëlltyrës së saj europiane. Të gjitha ministritë dhe agjencitë kanë parashikuar në këtë buxhet zbatimin e programit të tyre ambicioz. Buxheti do të jetë një mbështetje e fuqishme për konsolidimin e institucioneve demokratike në veprimtarinë e tyre, institucioneve të pavarura" tha Kryeministri dje, në miratimin e radhës.

"Rruga e Arbrit, me gjithë tunelin e parë 3.2 km apo 3.7 km dhe autostrada Tiranë-Elbasan me tunelin e saj, do të bëhen realitet nga ky buxhet", shtoi më tej Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›