Berisha në grup: “Negociatat me Topin dështuan”
Eljona Ballhysa
Dështojnë negociatat mes kryeministrit Berisha dhe presidentit Topit për emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Këtë e ka pranuar vetë kryeministri Berisha, dje, gjatë mbledhjes më dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së. “Kanë dështuar negociatat me presidentit. Ai nuk ka pranuar emrat e paraqitur prej nesh, ndaj dekretet të shqyrtohen në Komisionin e Ligjeve”, - mësohet të jetë shprehur kreu i qeverisë. Kjo pritet të shënojë një periudhë të “akullt” mes dy institucioneve të larta të vendit, Kryeministrisë dhe Presidencës.
Përplasja
Presidenti Topi dekretoi pak kohë më parë 5 emra gjyqtarësh për postet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ky veprim i Topit u kundërshtua ashpër nga kryeministri Berisha, duke u shprehur se presidenti nuk është konsultuar me Kuvendin për emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Për këtë kreu i qeverisë dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli, u mbështetën në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit Presidenti i Republikës duhet të konsultohet me Kuvendin për emërime të anëtarëve të një institucioni të rëndësishëm. Pikërisht për këtë qëllim Berisha mandatoi kreun e Grupit Parlamentar të PD-së Astrit Patozi dhe nënkryetarin Ilir Bano për të negociuar me Presidentin e Republikës. Vetëm pak ditë më parë negociatorët e PD-së, pas dy orë e gjysmë bisedimesh me kreun e shtetit, dolën “me duar bosh” nga zyra e tij. Burimet bëjnë të ditur se Berisha kërkon t’i imponojë Topit dy emra të tjerë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët ende nuk janë bërë publikë as për deputetët e PD-së. Negociatorët i kanë parashtruar në tryezë Topit paktin për kompromis, që maxhoranca të rrëzojë në Kuvend dy prej pesë dekreteve dhe Topi të dekretojë dy emrat që kërkon Berisha. Por duket se ky propozim nuk është mirëpritur nga presidenti Topi. E gjithë kjo situatë ka sjellë konfuzion në gjirin e maxhorancës, por edhe në radhët e deputetëve të PD-së. Ata shprehen se nuk kanë informacion se cilat dekrete kundërshtohen nga Berisha dhe se kush janë emrat për të cilët PD-ja po negocion me presidentin Topi.
Aleatët
Nga ana tjetër, edhe aleatët duket se këtë radhë nuk janë në krah të Berishës. Burime nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokristiane bëjnë të ditur për gazetën se do të votojnë në Kuvend dekretet e Topit. Madje vetëm pak ditë më parë, në një deklaratë për shtyp, PDK-ja është shprehur kundër qëndrimit të PD-së për dekretet e presidentit, duke bërë thirrje që ato të futen sa më parë për shqyrtim në seancë parlamentare. Të njëjtin qëndrim duket se do të mbajnë dhe deputetët e PDR-së dhe ato të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, duke votuat pro dekreteve të presidentit Topi. Ndërkaq që tashmë është i njohur qëndrimi i dy deputetëve të PD-së, Besnik Mustafaj dhe Spartak Ngjela. Këta të fundit janë shprehur në mbështetje të presidentit dhe kanë dënuar qëndrimin e Berishës duke e cilësuar atë presion ndaj institucionit të Presidentit të Republikës.
Dekretet e Presidentit
Altina Xhoxhaj emërohet anëtare e Gjykatës së Lartë.
Medi Bici emërohet anëtar i Gjykatës së Lartë.
Artan Zeneli emërohet anëtar i Gjykatës së Lartë.
Zamir Poda emërohet anëtar i Gjykatës së Lartë.
Kristaq Traja emërohet anëtar i Gjykatës së Lartë.
Topi dekreton tetë ligje të rëndësishme
Pavarësisht mungesës së bashkëpunimit midis institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, Bamir Topi ka vazhduar procedurën normale të dekretimit të ligjeve. Gjatë ditës së djeshme kreu i shtetit ka dekretuar disa ligje të rëndësishme të miratuara nga Kuvendi. Kështu ai ka dekretuar ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, si dhe disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8901, datë 23.05.2002 “Për falimentimin”. Kreu i shtetit ka dekretuar dhe ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, si dhe një tjetër ligj tepër të rëndësishëm, siç është ai “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Gjatë ditës së djeshme Topi ka shpallur për dekretim dhe ligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”. Po kështu ai ka dekretuar ligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës për lehtësimin e lëshimit të vizave”, si dhe ligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për taksimin e automjeteve rrugore në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve”.
10 Qershor 2008