E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata e Policisë: Qeveria bllokoi 140 milionë lekë për shpërblimet

SHKRUAN: Habjon Hasani 20-12-2011 15:13

Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, paralajmëron organizimin e protestës së parë të punonjësve të policisë për orët suplementare dhe shërbimet jashtë orarit. “Qeveria u ka borxh policëve 80 mln lekë”

Tiranë Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, nëpërmjet një daljeje publike ka paralajmëruar refuzimin e shërbimit jashtë orarit nga policët, nëse do të mbetet në fuqi VKM-ja që u hoqi dietat policëve. “Ne jemi të vendosur që problemet e punonjësve të policisë mos të kalojnë në vesh të shurdhër të qeverisë, siç kanë kaluar edhe më parë. Për të kërkuar të drejtat tona do të përdorim të gjitha hapësirat ligjore, duke u bërë thirrje punonjësve të policisë për të refuzuar shërbimet si jashtë orarit të punës, ashtu edhe jashtë vendbanimit të tyre, deri në pagesën e tyre të plotë në kohën që parashikon ligji’,- u shpreh Fishta. Mësohet se me kërkesën e anëtarësisë, Sindikata po përgatit edhe mundësinë e organizimit të tubimeve të punonjësve të policisë, një e drejtë e fituar me ligj, duke u mbështetur në këto tubime edhe nga Sindikata Europiane e Policisë.

Fishta tha dje se është e patolerueshme që qeveria të bllokonte edhe fondin e veçantë, duke i lënë pa asnjë lloj shpërblimi punonjësit e policisë për festat e fundit të vitit, në një kohë që krimi nuk po kursen jo vetëm jetën e punonjësve të policisë, por edhe të familjeve të tyre. “Nisur nga vendimi i qeverisë, nr. 826, datë 05.12.2011, i cili shprehet se fondi i veçantë nuk përdoret për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë dhe veprimtari social-kulturore, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit me indinjatë merr shkas që të bëjë publike veprimet arbitrare të qeverisë, duke bllokuar fondin prej 140 milionë lekë, të akumuluar nga fondi i veçantë”,- deklaroi dje Fishta. Në lidhje me këtë problem, kreu i Sindikatës deklaroi se vendimi për anulimin e shpërblimeve të fundvitit është një veprim i njëanshëm i Ministrisë së Financave, pasi, sipas sindikatës, drejtori i Përgjithshëm Burgaj ka nisur procedurën për fondin e shpërblimeve, por ajo është bllokuar nga dega e thesarit të Shtetit. “Si asnjëherë tjetër, punonjësit e policisë e ndiejnë veten në këtë fundviti mjaft të rënduar ekonomikisht, edhe për faktin që qeveria u ka borxh punonjësve të policisë përfitime të miratuara me akte normative, si vjetërsia në punë që përfitojnë të gjithë punonjësit e administratës publike, ndërsa punonjësve të policisë nuk u jepet që nga viti 2003 dhe në vazhdim. Gjithashtu, punonjësit e policisë nuk marrin trajtimin ushqimor që nga viti 2008, pavarësisht se ky trajtim është i miratuar me VKM nr. 494, datë 01.08.2007, duke bërë që çdo punonjësi policie t’i mohohen 10 mijë lekë të reja për çdo muaj”, u shpreh dje Fishta. Në përllogaritjet e bëra nga përfaqësuesit e sindikatës rezulton se në katër vitet e fundit është rritur në mënyrë progresive borxhi i qeverisë ndaj trupave policore. Ky borxh aktualisht arrin në shumën totale 80 milionë lekë. Gjithashtu, mbeten pa paguar edhe 50 milionë lekë për orët suplementare të papaguara, po për këtë vit. “Këto përfitime të papaguara janë mbajtur arbitrarisht nga qeveria, me pretendimin se nuk kemi fonde, ndërkohë që Kryeministri ka deklaruar për rritje ekonomike në masën 4 për qind”, - deklaroi dje Fishta.

140 Milionë lekë nga fondi i veçantë janë bllokuar nga qeveria për t’ua shpërndarë punonjësve të policisë, si shpërblime për festat e fundvitit

80 Milionë lekë ka arritur borxhi që qeveria u ka punonjësve të policisë për shërbimet jashtë orarit apo dietat për punët larg vendbanimit

50 Milionë lekë është borxhi për orët suplementare të papaguara ndaj punonjësve të policisë, gjatë vitit 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›