E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta për pavarësinë nga 1912-a deri në ardhjen e komunizmit

Gazeta “Bashkimi” komenton përpjekjet për çlirimin nga pushtuesi. Si u komentua ardhja e sistemit komunist dhe roli i Enver Hoxhës
28 Nëntori 1912 shënoi një ngjarje historike në popullin tonë. Atë ditë, në Vlorën heroike, nga Ismail Qemali u ngrit flamuri i shpalljes së Indipendencës së Shqipërisë, flamuri i Skënderbeut, flamuri i luftës dhe i fitoreve të popullit shqiptar. Shqipëria u shpall e pavarur dhe indipendente. Kjo ngjarje ishte një hap përpara dhe shënoi një periudhë të re për popullin e vendin tonë. Shqipëria u shpall indipendente pikërisht në një kohë kur po jepte shpirt perandoria e kalbur otomane dhe kur imperialistët, armiqtë e popullit shqiptar, serbë dhe grekë, të nxitur nga padronët e tyre të perëndimit, bëheshin gati të mprehnin dhëmbët për të copëtuar atdheun tonë. 28 Nëntori ishte dita e shënuar në historinë e vendit tonë se nga Vlora heroike u shpall karshi botës imperialiste vullneti i popullit shqiptar, i cili kishte vendosur të rronte i lirë dhe indipendent. Por megjithatë, megjithëse në Vlorë u ngrit flamuri i Skënderbeut, pas 1912-s furtuna më të mëdha dhe të egra kaluan mbi kokën e popullit tonë. Klikat feudale e borgjeze të vendit, në bashkëpunim me imperialistët, filluan të bënin pazarllëqe me jetën e popullit shqiptar dhe me indipendencën e tij. Imperialistët, për të ruajtur sferat e influencës së tyre, vendosën dhe përkrahën në Shqipëri mbretër dhe qeveri antipopullore. Pra, edhe pas shpalljes së indipendencës më 1912, edhe pas vendosjes së kufijve të Shqipërisë më 1913, popullit tonë iu desh që të luftonte me heroizëm, që të çante me shpatë rrugën e historisë së tij. Qeveritë e asaj kohe, gjoja shqiptare, ishin vegla të ndyra në duart e imperialistëve që i thithnin gjakun popullit tonë dhe që për interes të popullit nuk bënë asgjë. Për kundra këtyre luftoi populli shqiptar, luftoi fshatarësia jonë, luftuan rebelët e patriotit trim Haxhi Qamili, më 1914-1915, që kërkuan t’i mbytnin bejlerët, por që kryengritja e fshatarësisë sonë revolucionare dhe patriote që kërkonte t’u rrrëmbente tokat bejlerëve dhe feudalëve dhe që kryengritja e tij përbënte një rrezik për këta dhe për padronët e tyre, imperialistët. Armiqtë e vendit tonë u munduan që kësaj lufte t’i jepnin ngjyra të ndryshme fetare, antishqiptare. Por më kot, sepse ajo ishte një luftë e drejtë, e shenjtë dhe që Partia që mban lart traditat revolucionare të popullit tonë e ngriti në vendin e merituar patriotin Haxhi Qamili. Flamuri i Skënderbeut, që u ngrit më 1912-n në Vlorë dhe që kërkonin ta përlyenin tradhtarët e vendit, u mbajt gjithmonë lart nga populli ynë që nuk pushoi asnjëherë së luftuari për të siguruar indipendencën e tij të vërtetë, për të siguruar lirinë, paqen dhe demokracinë. Lufta e Selam Musait në Vlorë kundër imperialistëve italianë dhe tradhtarëve të vendit, lufta e patriotit revolucionar Bajram Curri, Avni Rustemi, e treguan qartë këtë realitet. Pas gjithë këtyre përpjekjeve, imperialistët prunë në fuqi satrapin Ahmet Zogolli, i cili u përpoq që me zjarr e hekur të shuante lëvizjet e popullit shqiptar. Feudali Ahmet Zogolli e shiti Shqipërinë tek imperialistët e huaj dhe si rezultat i politikës së tij tradhtare antishqiptare, antipopullore, ishte 7 prilli 1939, ishte okupimi i Shqipërisë nga ana e Italisë fashiste. Ditë të zeza dhe të vështira kalonte populli ynë. Çizmja e okupatorit kishte pllakosur në atdheun tonë, në atdheun e Skënderbeut. Por koha tani kishte ndryshuar. Më 1917, fitorja e Revolucionit të Tetorit në Rusi, fitorja e ideve të Leninit dhe Stalinit, u kishte hapur rrugën të gjithë popujve të shtypur dhe të vegjël. Lenini dhe Stalini dhe pjella e tyre, Shteti i parë Socialist, ishin mbrojtësit e sigurt të popujve të vegjël që luftonin për indipendencën dhe çlirimin nacional. Revolucioni i Tetorit, drita e Leninit dhe Stalinit, i hapën rrugë të reja popullit tonë, i ndritën perspektivat e tij, i dhanë forcë dhe kurajo në luftën e drejtë për demokracinë dhe lirinë. Me propozimin e Avni Rustemit më 1924 në parlament u mbajt një minutë zi për vdekjen e udhëheqësit të madh të proletariatit ndërkombëtar për Leninin. Në bazë të mësimeve të Leninit e Stalinit, sipas eksperiencës së Partisë së madhe Bolshevike, lindi nga gjiri i popullit tonë luftëtar dhe revolucionar Partia Komuniste Shqiptare, që e mobilizoi, që e grumbulloi popullin tonë në rrugën e drejtë e të sigurt drejt çlirimit për fitoren e pushtetit të tij popullor, për fitoren e indipendencës së vërtetë. U krijua për herë të parë shtabi udhëheqës nga gjiri i popullit, që i tregoi atij rrugën e fitores. Populli ynë nuk do të lejonte tani më që të udhëhiqej nga feudalët dhe borgjezët, por ai do të drejtonte vetë fatet e tij, populli ynë do të ecte sipas shembullit të popujve sovjetikë. Partia jonë e mbajti lart flamurin për të cilin kish luftuar me trimëri Skënderbeu, Naim Frashëri, Rrapo Hekali, Haxhi Qamili, fshatarët e tij trima, Bajram Curri, Selam Musai, Avni Rustemi, Ali Kelmendi, Asim Vokshi, heronjtë e popullit Qemal Stafa, Vojo Kushi e qindra e qindra heronj të tjerë. Ajo realizoi qëllimet dhe aspiratat e tyre të shenjta. Nën udhëheqjen e Partisë, populli shqiptar, i grumbulluar në Frontin Nacionalçlirimtar, u mobilizua i gjithë në luftë kundra okupatorëve dhe tradhtarëve, ai luftoi me heroizëm dhe më 29 Nëntor 1944 fitoi lirinë dhe indipendencën. Partia Komuniste Shqiptare forcoi miqësinë tradicionale që lidhte popullin tonë të vogël me popullin e madh rus. Në luftën Nacionalçlirimtare u çelikos dashuria, miqësia dhe besnikëria e popullit tonë për Bashkimin e madh Sovjetik, për Stalinin e madh dhe kjo miqësi u bë guri themeltar i të gjitha fitoreve tona. Bashkimi Sovjetik, armatat e tij të lavdishme dhe Stalini i madh, i dhanë liri popullit tonë dhe sot i sigurojnë indipendencën dhe ndihmojnë që Shqipëria jonë të përparojë dhe lulëzojë. Armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm të vendit tonë, imperialistët amerikano- anglezë dhe shërbëtorët e tyre monarkofashistët grekë, fashistët jugosllavë dhe neo-fashistët italianë kanë dështuar dhe do të dështojnë për të përsëritur historinë e errët dhe të zezë të popullit tonë. Në Shqipëri nuk do të ketë më 7 prille, nuk do të ketë më feudalë e bejlerë. Flamurin e Skënderbeut, që u ngrit më 1912, tradhtarët e vendit e armiqtë e jashtëm nuk do ta përlyejnë më. Ky flamur mbahet lart nga populli ynë që udhëhiqet nga Partia e tij e Punës me në krye shokun Enver Hoxha. Populli shqiptar është i sigurt në rrugën e tij, sepse ai tani ka një udhëheqje të sigurt, të sprovuar, ka Partinë e tij të Punës, sepse ai ka përkrah tij vendet e demokracisë popullore dhe të gjithë popujt e botës që luftojnë për paqen, demokracinë dhe socializmin. Sot, indipendenca e popullit tonë është siguruar për jetë të jetëve.

Shkrimi është botuar në gazetën “Bashkimi” më datë 28 Nëntor 1951
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›