"Lufta" për postet e zëvendësministrave
Pas publikimit të emrave të ministrave të rinj nga Kryeministri Berisha, tashmë ka nisur "beteja" për zbulimin e posteve dytësore më të rëndësishme, zëvendësministrat. Dëshira për të marrë një post të dytë të rëndësishëm ka bërë që nëpër partitë e koalicionit qeverisës të nisë artikulimi i parë i emrave që pretendojnë të zënë nga një karrige zëvendësministri për katër vitet e ardhshme. Sipas marrëveshjeve të bëra, Kryeministri Berisha fillimisht do të mbyllë diskutimet me partitë aleate dhe ç‘të mbesë do t‘u ndahet funksionarëve të tjerë të PD-së, të cilët deri më tani kanë mbetur pa u shpërblyer për punën dhe kontributin e tyre. Nga marrëveshja e bërë me LSI-së pas marrjes së drejtimit të tre ministrive, kjo forcë politike do të marrë edhe shtatë poste zëvendësministrash. Kryetari i LSI-së Meta dhe Kryeministri Berisha kanë nisur diskutimet se në cilat ministri LSI-ja do të përfaqësohet me zëvendësministra. LSI-ja pritet të përfaqësohet në qeveri me poste zëvendësministrash. Një në Ministrinë e Brendshme, zëvendësministri që mbulon sektorin e pushtetit lokal, një post zëvendësministri në Ministrinë e Drejtësisë, një zëvendësministër te Ministria e Arsimit dhe një tjetër zëvendësministër që LSI-ja pretendon të marrë është edhe te Ministria e Transporteve. Por ende marrëveshja nuk është mbyllur përfundimisht, pasi LSI-ja kërkon të saktësojë edhe postet dytësore që ajo do të marrë për t‘u drejtuar nga njerëzit e saj në nivel drejtor drejtorish. Emrat që do të marrin në drejtim si zëvendësministra nga LSI-ja do të jenë zyrtarët e lartë të kësaj partie, si nënkryetarët dhe sekretarët, të cilët nuk arritën të merrnin numrin e duhur për të qenë pjesë e Parlamentit. Po kështu, pas mbylljes së bisedimeve përfundimtare për ndarjen e posteve të zëvendësministrave me LSI-në, Kryeministri Berisha pritet të bëjë të njëjtën gjë edhe me aleatët e tjerë, PR-në dhe PDI-në. Nga burime pranë PR-së mësohet se kjo forcë politike, sipas marrëveshjes së bërë me Berishën, do të marrë në drejtimin e saj dy zëvendësministri, pozicionet e të cilave ende nuk janë përcaktuar qartë se cilat do të jenë, por republikanët kanë gati emrat kryesorë. Emrat që do të diskutohen nga PR-ja për të qenë pjesë e qeverisë në nivel zëvendësministrash janë Neritan Alibali, Aleksandër Garuli, Arian Madhi dhe Dashnor Bajaziti, por pretendentët kryesorë për dy zëvendësministrat në emër të republikanëve pritet të jenë Alibali dhe Bajaziti. Po kështu një post zëvendësministri pritet të marrë edhe PDI-ja, e cila tashmë është pjesë e koalicionit qeverisës. Ǒtë mbetet nga postet e zëvendësministrave, pasi të jenë plotësuar kërkesat e aleatëve, Kryeministri Berisha do t‘ua shpërndajë funksionarëve të tjerë të PD-së. Nga zgjedhjet e 28 qershorit, PD-ja, me aleatët e saj, arriti të merrte më shumë mandate deputetesh, duke i dhënë të drejtën të mendonte për krijimin e qeverisë së re. Qeveria u konsolidua pas pranimit të ftesës së LSI-së për të bashkëqeverisur me demokratët. LSI-ja pranoi ftesën e PD-së, pasi kreu i mazhorancës Berisha i la kësaj force politike postin e ministrit të Jashtëm dhe të zëvendëskryeministrit, i cili do drejtohet nga kryetari Meta, Ministrinë e Ekonomisë, e cila do drejtohet prej Dritan Prifti, Ministrinë e Shëndetësisë, e cila do drejtohet nga Petrit Vasili si dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit, i cili do të drejtohet nga Nasip Naço. Ndërsa republikanët do të përfaqësohen në qeveri me një post ministror, konkretisht me Ministrinë e Mjedisit, e cila do të drejtohet nga kryetari i PR-së, Fatmir Mediu.