E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden për dritat, plagoset agresori 25-vjeçar

Një konflikt banal për mungesën e dritave ka degjeneruar në nxjerrjen e armëve. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, në lagjen "29 Nëntori" të qytetit të Vlorës, kur një elektricist ka qenë duke punuar në një prej banesave të kësaj lagjeje. Mësohet se "ustai" ka debatuar me një djalë 25 vjeç për mungesën e energjisë që ky i fundit kishte konstatuar në banesën e tij nga puna që elektricisti po kryente në afërsi të banesës së tij. Elis Yzeiri, 25 vjeç, pasi ka debatuar me elektricistin me inicialet P.B., për mungesën e energjisë elektrike, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar drejt tij, por pa mundur ta qëllojë në trup. Skena është zhvilluar në sy të djalit të elektricistit, i cili në momentin kur ka parë 25-vjeçarin t‘i drejtojë armën të atit, është hedhur drejt tij dhe me një kaçavidë dhe e ka qëlluar Elis Yzeirin dy herë: në shpatull dhe në këmbë. Pas kësaj ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa 25-vjeçari Yzeiri po trajtohet në spital për plagët e marra. Mësohet se prokuroria ka ngritur akuzat e "kanosjes" dhe "mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak" për 25-vjeçarin Yzeiri, ndërkohë që është shpallur në kërkim djali i elektricistit, për veprën penale "vrasje e kryer në kushtet e tronditjes psikike, e mbetur në tentativë".

Mi.Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›