Luftë e hapur

Trajneri i Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp dhe homologu i tij nga Bayern Munichu, Jupp Heynckes besojnë se do të jenë më tepër se dy konkurrentë për titull në Bundesligë. Dortmundi përfundoi tetë pikë mbi Bayernin, në sezonin e kaluar, derisa rrëmbyen titullin kurse gjiganti bavarez ishte nëntë pikë para Schalke 04, e pozicionuar e treta.
Megjithatë, gjatë një bisede me magazinën gjermane Kicker, të dy trajnerët shprehën besimin e tyre se edicioni i ri 2012-13 do të sjellë garë më të barabartë për titull. “Beteja mes Bayernit dhe Dortmundit është një situatë e mirë për mediet”, tha Heynckes.
“Por, ne nuk duhet të supozojmë se beteja do të zhvillohet vetëm mes këtyre dy skuadrave. Bundesliga është edhe më interesante se La Liga spanjolle. Në garë për titull do të jetë edhe Schalke. Monchengladbach, Leverkusen janë të fuqishëm, Stuttgart, Bremen, Hannover, si dhe një ose dy skuadra të tjera, të cilat nuk do t’i përmend, por mund të befasojnë”, shtoi ai.
Kurse Klopp u shpreh: “Mund të përmend disa skuadra që mund të hyjnë në garë për titull. Për shembull Bayer Leverkusen ose Schalke, Stuttgart ose Borussia Monchengladbach. Sigurisht se këtu mund të përfshini Bayernin dhe ne”.
I pyetur rreth synimet e skuadrës së tij për sezonin e ri, Klopp theksoi se Dortmund “synon të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve, asgjë më shumë dhe asgjë më pak”. “Nëse arrijmë të shfaqim lojën që e bëri Dortmundin të suksesshëm në vitet e kaluara, sezoni do të jetë i suksesshëm, pa marrë parasysh se a fitojmë tituj apo jo”, u shpreh ai.
Presioni është më i madh ndaj Heynckesit, i cili synon të udhëheqë Bayernin drejt titullit të parë në ligë nga 2010. “Parashikimet në Munich janë të vështira. Ne ishim në dy finale, kurse në ligë përfunduam në pozitën e dytë. Por, askush nuk foli për sukses.
Ne të gjithë e dimë se duhet të arrijmë më tepër këtë sezon. Nuk e di nëse do të fitojmë, Por e di se duhet të japim maksimumin për këtë. Do të mundohemi të jemi më të mirë se sezonin e kaluar dhe të shohim se ku na le kjo”, theksoi Heynckes. Bayern dhe Dortmund u takuan javën e kaluar në kuadër të Superkupës së Gjermanisë dhe skuadra bavareze fitoi 2-1.
Por, Heynckes mohoi rëndësinë e fitores. “Ne nuk fituam asnjë pikë të vetme në ligë me fitoren ndaj Dortmundit. Por, ishte e mirë për ne sepse më në fund mposhtëm Dortmundin”, përfundoi ai. Sezoni i 50-të i Bundesligës do të fillojë me duelin mes kampionit në fuqi, Dortmundit dhe Werder Bremenit në Westfalenstadion, të premten. Kurse Bayerni në kuadër të xhiros së parë, takohet me skuadrën e promovuar, Greuter Fuerth.