Për titull, Trepçat, sprovë për Prishtinën
Prishtina është kandidati kryesor për ta fituar titullin e kampionit në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Kështu të paktën mendojnë njohësit e futbollit kosovar, të cilët i shohin Bardhekaltrit si fuqinë kryesore të futbollit kosovar.
Natyrisht, përkrah kampionit aktual, ata i shohin të forta edhe dy ekipet mitrovicase, Trepça ’89 dhe Trepça, por edhe Dritën, në bazë të organizimit dhe përforcimeve që kanë bërë. Sigurisht, ata nuk lënë pa përmendur as ekipet që janë inkuadruar në elitën e futbollit kosovar si Kosova (V), Hajvalia e Ferronikeli.
“Në bazë të atyre që kanë ndodhur, Prishtina duhet të jetë kandidati kryesor për titull. Por, aty mund të jenë edhe Drita dhe Trepça”, thotë për Express trajneri i njohur kosovar, Ajet Shosholli, i cili deri sezonin e kaluar e kishte udhëhequr Vëllaznimin.
Ndërkohë, prishtinasit i favorizon edhe trajneri Afrim Tovërlani, edhe pse bardhekaltrit nuk e kanë bindur shumë atë. “Sipas përforcimeve, Prishtinën e shoh favorite, mirëpo në ndeshjen e Superkupës nuk ka arritur të bindë dhe të tregojë se ky ekip për momentin është i fortë. Nuk mendoj se do të ketë favorit tjetër, por mendoj se tri skuadrat që kanë hyrë në ligë, do t’u shkaktojnë probleme ekipeve kandidate për titull”, tha ‘Toki’, i cili më parë ishte trajner i Prishtinës, Trepçës ’89 dhe Hysit.
Edhe trajneri Gani Sejdiu i ka analizuar mirë të gjitha lëvizjet dhe organizime e klubeve. Si rezultat i kësaj, ai e pret një sezon të paparashikueshëm, pasi që të gjitha skuadrat janë përforcuar. Ish-trajneri i Trepçës sheh një nivelizim në Superligë, me një Prishtinë e cila nuk është ajo më e fuqishmja, pasi që, sipas tij, këtij ekipi i ka humbur identiteti dhe mentaliteti i fituesit dhe i dominuesit.
“Përpos Besës dhe Hysit, që janë dobësuar, të gjitha skuadrat e tjera janë maksimalisht të organizuara dhe të përforcuara. Mendoj që do të luajë rol edhe tradita dhe organizimi, që e bën të veten dhe është përparësi për skuadra. Prishtina duhet të jetë aty si zakonisht, por edhe Trepça ’89 e Trepça. Gjithashtu, përforcime kanë bërë edhe Kosova, Hajvalia dhe Ferronikeli, prandaj edhe ato do ta thonë fjalën kryesore, pasi që janë të qëndrueshme financiarisht, por varet nga ecuria e sezonit”, deklaroi trajneri mitrovicas, që në të kaluarën ka drejtuar dy ekipet mitrovicase, Trepça dhe Trepça ’89 dhe Kosovën e Vushtrrisë.
Kampionati i ri i Superligës fillon këtë mesjavë, pasi u shty për tri ditë, për shkak të festës së Fitër Bajramit. Kampion aktual i Kosovës është Prishtina.