E Diel, 1 Nëntor 2026

“Luftë” me thika mes rrepistëve, dy të plagosur pas sherrit në lokal



TIRANE - Një konflikt mes dy grupeve prej adoleshentësh, i cili ka filluar dje rreth orës 19:00, në një lokal pranë gjimnazit “Sami Frashëri”, përfundoi me dy të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në rrezik për jetën në Spitalin Ushtarak. Policia dyshon se konflikti ka nisur nga ngacmimet ndaj disa vajzave që ndodheshin në tavolinë me njërin grup të adoleshentëve. Ky moment ka mjaftuar që ata të hyjnë në konflikt duke përshkuar më pas qendrën e Tiranës nga gjimnazi deri tek Stacioni i Trenit me thika në duar teksa ndiqeshin me njëri- tjetrin. Fillimisht nga disa goditje me thikë është plagosur 15-vjeçari Durim V., i cili është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa personat që ende nuk janë identifikuar nga policia, nuk e lanë me aq sherrin e tyre. Ata kanë ndjekur këmba-këmbës 19-vjeçarin Denis Dollapi, i cili ka tentuar t’i shpëtojë sherrit duke u larguar nga vendi ku mbeti i plagosur 15-vjeçari. Mësohet se adoleshentët kanë vrapuar nga gjimnazi “Sami Frashëri”, duke ndjekur Dollapin dhe kanë kaluar para 15-katëshit, ku janë parë nga shërbimet e policisë rrugore, që lajmëruan në Komisariatin nr.3. Autorët kanë mundur të ndalojnë 19-vjeçarin në rrugicën prapa Muzeut Kombëtar, ku fillimisht e kanë rrahur me grusht e shqelma, por ai u ka ikur sërish nga duart, duke vrapuar në drejtim të Stacionit të Trenit, përgjatë Bulevardit “Zogu i Parë”. Burime nga policia sqaruan se të dyshuarit nuk i janë ndarë deri sa në afërsi të një studio fotografish e kanë goditur Denis Dollapin disa herë me thika dhe më pas janë larguar nëpër rrugica, për të humbur gjurmët nga policia. Sipas të dhënave nga policia Dollapi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak dhe mjekët kanë dhënë pak shpresa jete për të. Ndërsa i plagosuri tjetër, Durim V., pas mjekimit pritet që të merret në pyetje nga policia për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes. Policia tha është shpallur në kërkim për ngjarjen një anëtar i grupit të rrepit, OTR, i cili akuzohet për plagosjen e dy adoleshentëve, që ishin fansa të një grupi tjetër të muzikës rrep. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›