E Diel, 1 Nëntor 2026

“E ndau” nga burri, rreh dhe i hedh acid një 27-vjeçareje



POGRADEC - Një 27-vjeçare përfundoi në spital e dhunuar dhe e djegur me lëndë që dyshohet të jetë acid. Ngjarja ndodhi në fshatin Lin të Pogradecit, kur nënë e bijë ia behën tek banesa e së resë, duke e dhunuar atë barbarisht. Për pasojë, A. Llapushi përfundoi në spital, ndonëse jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, shkak i dhunës ndaj të resë është bërë pasi ajo kishte “rrëmbyer” bashkëshortin dhe prindin e dhunueseve. Mësohet se A. Avdullari, 39 vjeçe dhe vajza e saj 17-vjeçare, nga Pogradeci, kanë shkuar në banesën e Llapushit duke e goditur atë me mjete të forta. Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë shkak hakmarrjen pasi ajo bashkëjetonte me shtetasin S.Avdullari. Ky i fundit, ishte ndarë nga gruaja e tij dhe kishte krijuar një lidhje të re me vajzën 27-vjeçare nga fshati Lin. Duke e menduar si shkaktare të prishjes së harmonisë familjare dhe të ndarjes, nënë e bijë janë hakmarrë pikërisht me vajzën me të cilën kryefamiljari Avdullari bashkëjetonte. Pas ngjarjes, policia mbërriti në vend dhe nisi hetimet. Mësohet se nënë e bijë do të ndiqen penalisht pas kësaj ngjarjeje për dhunim banese dhe plagosje të lehtë me dashje në bashkëpunim. Policia ka marrë dëshminë e vajzës së dhunuar, e cila ka pohuar se është qëlluar me mjete të forta nga dy femrat e tjera. Por, ndërkaq, 27-vjeçarja i denoncoi nënë e bijë jo vetëm për dhunën, por pasi është rrahur ajo është djegur me acid. Sipas të dhënave, vajzës i është hedhur një sasi lënde djegëse në pjesën e fytyrës, e cila dyshohet të ketë qenë acid. Por grupi i hetimit do të kryejë verifikimet në spital nëse e reja është djegur me acid apo ndonjë lëndë tjetër djegëse. Paraprakisht dhunimi fizik ndaj Llapushit është cilësuar si plagosje e lehtë. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›