E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti: Asnjë firmë në minierat pa licencë



BULQIZE - Për prefektin e Qarkut Dibër, Xhafer Seiti, plani i veprimit të miratuar nga Task Force ka dhënë rezultatet e para. Sipas tij, në galeritë dhe stoqet e kromit të rrethit Bulqizë nuk punojnë më privatë dhe qytetarë të palicencuar. “Kontrollet e ushtruara dy ditët e fundit nga ana e tatimeve, sigurimeve shoqërore, policisë, avari-shpëtimit, nënprefekturës Bulqizë, etj., kanë dhënë rezultate pozitive. Prej ditësh, për shkak të kontrolleve të ushtruara dhe hetimeve të nisura nga Policia dhe Prokuroria e Dibrës, asnjë person nuk ka guxuar të hyjë në galeritë e zonës D apo në stoqet e palicencuara”. Sipas prefektit Seiti, këto kontrolle kanë pasur mbështetjen e efektivave të policisë lokale dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë. “Kontrollet tona nuk janë ndalur vetëm në subjektet e palicencuara, por në sitë po kalojnë edhe subjektet që kanë një leje ndërtimi, për të parë me hollësi kush paguan rregullisht detyrimet tatimore, sa punëtorë ka të siguruar, cilat janë subjektet që nuk kanë investuar për sigurimin e jetës së punëtorëve, etj”, theksoi ai. Seiti u shpreh se do të revokohen të gjitha lejet minerare, në rast kur nuk janë në përputhje me ligjin. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›