E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtorët pa rroga, bllokojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak



PATOS - Dështon sërish mbledhja e Këshillit Bashkiak në qytetin naftëtar të Patosit, duke lënë pezull dhe miratimin e buxhetit. Këtë herë kanë qenë punonjësit e ujësjellës-kanalizimeve dhe të pastrim-gjelbërimit të këtij qyteti, që kanë penguar zhvillimin e saj. Ata kanë vijuar me protesta jashtë dhe brenda ambienteve të bashkisë, në shenjë pakënaqësie ndaj mosmiratimit dhe zvarritjes së buxhetit prej këshilltarëve, çka ka vonuar edhe pagesat e tyre të përmuajshme. Në momentin që do të hynin në sallën e mbledhjeve, këshilltarët e djathtë kanë hasur në rezistencën e punonjësve të ndërmarrjeve. Policia bashkiake ka ndërhyrë, por përballë gjendjes së tensionuar këshilltarët janë larguar. Pas këtij veprimi, punonjësit kanë hyrë me forcë në sallën e Këshillit Bashkiak, në tentativë të takonin kreun e bashkisë, ndërsa shumë të tjerë qëndruan në pritje të një përgjigjeje. është dashur edhe këtu ndërhyrja e policisë bashkiake, që të vihej nën kontroll situata, por gjithsesi kjo nuk pengoi pezullimin e mbledhjes. “Këshilltarët tanë grinden mes tyre, pa menduar për popullin. Ne bëjmë punë të rëndë, por nuk jemi paguar që prej janarit”. Ata akuzojnë këshilltarët e djathtë për debatet, duke thënë se kjo situatë është që prej momentit kur u ndryshua kreu i Këshillit Bashkiak. Duke kërcënuar me grevë urie, punëtorët kërkojnë zgjidhjen sa më shpejt të çështjes së tyre. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›